Varrimi i Krijimtarisë dhe Përpjekjes u mundësua nga: Influencerat e Bashkuara dhe u sponsorizua nga: Paaftësia e Departamentit të Marketingut.
Duke mos dashur të shtirem sikur nuk kaloj shumë orë në Instagram, po ju them ça më ndodh rregullisht sa herë e hap në telefonin tim këtë derë të biberonit paqësues për të rritur.
Në çdo të dytin apo tretin afishim, dikush ‘më merr peng’ ose më shqetëson në mënyrë pasivo-agresive duke më ekspozuar në një asgjë të pafundme.
Sot Influencer nr. 7 kishte një ndriçim skandaloz. Më kupto drejt, fytyra e saj dukej pa rudhë dhe pa hije poshtë syve. Po vetëm fytyra e saj ama: Mbrapa një perde e hedhur nga ku fëmija i vet gjysëm e kërrusur me rroba gjumi më sheh mua telefonin, si Tarzani. Dhe fytyra perfekte e konturuar me makiazh falas dhe përpunuar me aplikacione. Influencers nr. 7 flet me një zë që nuk është i veti. Kordat e fytit të saja janë, po është një zë botëror. I huazuar nga një influencer në Amerikë, i huazuar nga një tjetër në Dubai, i huazuar nga një tjetër… Deri sa erdhi në Shqipëri i përçudnuar.
Jo natyral.
Po më shet serum për mykun e thonjve, “100% bio” tha.
Heu.
Informacioni? I amputuar.
Nuk merr vesh as çfarë është produkti, as si aplikohet, as nëse ka marrë ndonjë vlerësim me yje a me fjalë, apo vlerësim nga ndonjë institucion serioz. A është i mirë? E kujt i plasi. A është i keq? Ohu, ende pyet ti? Ajo është me nxitim – duhet ta fusë në story para se t’i vijë burri e ta përfshijë edhe burrin “pa dashje” në story-n tjetër.
Erdhi, e përfshiu, ai rri sikur ChatGPT të ishte humanoid. Ai nuk është fotogjenik, nuk rrezaton asnjë energji. Po ajo i hidhet në qafë se, për shoqërinë tonë me nota të forta tribale, ç’është një grua pa burrë e fëmijë, fundja?
Për një sasi jo të vogël gjatë ditës, familjarët e influenceres janë figurantë pa miratim. Një dekor i gjallë për stilin e jetesës që na shitet si “glamur”, por ne e dimë shumë mirë që nuk është. Jo se jetojmë me ata; as se i njohim.
Por njohim jetën, gjithësinë, natyrën njerëzore, dashurinë gjithë arna, dhe familjet e rrëmujshme, që janë dhe çka unë jam shumë e etur të shoh – realitetin.
Jo revista të viteve 50′ me njolla.
Jo ty duke reklamuar një produkut që s’të ngjall asnjë kërshëri.
Ku humori? Ku spontaniteti? Ku realiteti? Se prandaj janë influencer-e, dhe jo aktore me inskenim.
Vazhdova shfletimin.
Doli ai që ka shumë qejf të thotë që s’duhet të punojmë orarin 9-5 se qenkermi debila. E kalova. Doli ai poeti që thejsht është i përvëluar për seks, se pikë poezie s’ka në kokë as në shpirt. Jemi në rregull vlla’ s’ka gjë, të gjithëve na dalin lloj lloj personalitetesh në rrjete sociale.
E më pas doli tjetra. E mbaj mend vite më parë, kur ishim adoleshente, ka qenë kaçurrelse.
Po tanimë i urren kaçurrelat e saj, sepse të jesh grua s’mund të kesh asgjë “rrëmujë” në pamje. I shtrin, i vendos “extensions”, i pret, vetëm largqoftë kaçurrela jo.
Kjo po bën blerje në një market dhe me pakujdesi të hapur na tregon me dhjetra produkte që e rrethojnë, edhe pse po na thotë se si i pëlqen X djathë bebe për fëmijën e saj.
E merr djathin nga rafti e fut drejt e në trajse, ka përtuar tërësisht të marrë kosh, që duhet të shkojë në arkë, të paguajë etj.
Sapo bëre xhepizëm publik, Influencer nr. 12.
Dhe na dhe zero informacion mbi këtë produkt të stër-përpunuar, që ti thua është i mirë për fëmijët e tu.
I gjithë procesi i krijimit dhe publikimit të reklamës ka shkuar për së prapthi.
Më kujtohen netët e mia pa gjumë nëpër qendra tregtare e sheshe duke xhiruar reklama me pajisje të shtrenjta, të rënda, me regjisorë profesionistë, me skenare të vizatuara dhe tele-prompters.
E para këtyre xhirimeve që kërkonin 35 xhirmie për një skenë, më kujtohen orët tona të panumërta nëpër zyra me procese kreative me copywriter-at dhe dizenjatorët më të shkolluar e të paguar, për të krijuar diçka që mbahet mend. Por dhe prandaj dhe e lashë atë botë – gjithë ai inskenim për t’u shitur shqiptarëve produkte bazike, sikur po i përdorin nëpër vilat e tyre te Rolling Hills.
Ishte i pavërtetë.
Dhe urova, shpresova, që me media sociale, po i afrohemi realitetit.
Procesi s’ka shkuar për së prapthi në fakt jo, thjesht ka rënë në pusetë.
“Kena hut’ ” – sepse memet janë shumë herë më të paharrueshme se influencerat.
Se për mua dhe gjithë botën, ideja e influencerave është e bazuar në marketingun më të lashtë, me një efikasitet të pakundërshtueshëm ndër shekuj: gojëdhëna.
Shpjeguar thjesht, ti je shumë herë më e predispozuar të blesh diçka vetëm se ta mbushi mendjen shoqja, vëllai, kolegia, sesa se e pe të afishuar në stacion të auobusit.
Kështu dhe ne i ngritëm hopa influencerat, me idenë që po ma shet si një shoqe. Po ma do të mirën. Po paguhesh të informohesh, ta sintetizosh, të ma përshkruash mua me imagjinatë dhe informacion, dhe unë të të besoj. Ti paguhesh, unë fitoj kohë dhe e blej.
Por kjo punë vajti më keq se reklamat në TV të shtrenjta dhe të inskenuara. Dembelia/paaftësia/paga e ulët në departamente marketingu merr në punë influencere se ka një tik blu dhe ca mijëra followers dhe ajo/ai merr përsipër të edukojë dhe joshë shikuesit e saj për kremin me mukus kërmilli, të cilin as që ka ndërmend ta përdorë vetë dhe as ka për të parë kurrë ndonjë video për këto fermat e kërmijve dhe të shokohet pakëz
Secila prej këtyre influencerave është një version e tjetrës: të njëjtat poza me duar në fytyrë, i njëjti zë “bas dhe elegant”, tentativa për t’u dukur dhe tingëlluar “old money“, e njëjta buzëqeshje me dhëmbë jo-proporcionale me fytyrën bërë nga dentistë jo seriozë që gjuajnë influencera.
Dhe është gjithmonë ajo histori: një produkt i marrë falas, që në vend se të ishte rezultati i një testi real që ajo ka bërë në 3 muaj, ështue një video 15-sekondëshe ku nuk merr vesh pse duhet ta kesh edhe ti atë produkt.
Dhe e kupton që kjo nuk është reklamë, nuk është tregim, nuk është art.
Është thjesht një njoftim i lodhur. Një sallatë fjalësh.
Drejtori i marketingut të produktit më pas dërgoi një e-mail me “views” të kësaj story dhe Influencerja nr.9 mori 250 Euro – i do në dorë, pse të hapë NIPT e të paguajë taksa!
Mbase një ditë do të kemi sërish fragmente që mbahen mend. Që informojnë.
Sepse jashtë vendeve tona ka plot.
Ka humor, auto-ironi, shtëpi realiste, mbrojtje fëmijësh, dhe informacion të përkushtuar.
Po për tani, këtu, kemi “link në bio” dhe një botë ku 17 influencerat po shesin të njëjtin boshllëk.
Dhe pastaj, vrasim mendjen pse ndihemi bosh, sa herë prekim telefonin.