Nga Lirëza Elezaj.
Paralajmërim: shkrimi përmban “spoilers” nga seria “The Queen’s Gambit”.
“The Queen’s Gambit” ka qenë një nga ato dukuritë ndërkombëtare të kulturës pop që na ka mbledhur të gjithëve/a bashkë. Nuk habitet më njeri që këto dukuri mishërohen gjithmonë e më shpesh nga seri televizive. Për cilësi kinemtografike e thellësi psikologjike, kemi filluar t’i kthehemi të gjithë/a ekranit të vogël me shumë besim. Gjithsesi, m’u desh ta çoja deri në fund për të kapur se pse po tranohet bota: historia e Elizabeth Harmon endet jashtë shtigjeve të njohura dhe ngre në piedestal vlera që për mendimin tim janë të arta. Nëse dimë të vëzhgojmë, ajo na dhuron edhe dy-tre mësime të çmuara.
Fillimi i serisë edhe pse joshës nuk ka asnjë veçanti. Histori të dashura plot fillojnë me fëmijë jetimë e jetë të vështira. Kemi për shembull Sofinë te “Gjiganti i Madh i Mirë” i Roald Dahl, Harry-n te “Harry Potter dhe Guri Filozofal” i J.K.Rowling plus shumicën e personazheve të përrallave që na kanë rritur. Në rastin e «The Queen’s Gambit», jetimja është gjeni shahu po prapë, edhe kjo në vetvete nuk është e jashtëzakonshme për një trillim. Kemi parë filma e lexuar libra pafund për të ndjekur gjeni. Zakonisht kanë botën kundër tyre sepse nuk mishërojnë privilegje ekonomiko-sociale dhe ne gëzohemi kur në fund gjeniu del fitimtar. Bukur. Nga një anë kënaqemi se paragjykimet dekonspirohen si idiotësira dhe nga ana tjetër hamë përrallën me mbret se vlerat demokratike trimunfojnë në çdo rast. Prapë, me tërë karakteristikat e zakonshme, «The Queen’s Gambit» sjell kënaqsi që në pjesën e parë me heroinën femërore, Eiizabeth Harmon. Edhe në 2020, pjesa madhore e personazheve kryesorë dhe sigurisht e gjenive në ekran janë mashkullorë; por nuk do i hyjmë realitetit social e kulturor që reflekton ky fakt.
Fillimi kalon shpejt e shpejt pyetjet e zakonshme të tipit “Si do ia bëjë një jetime e varfër për të plotësuar ëndrrën e saj?” apo “Si do ia mbyllë gojën meshkujve me aftësitë e saj kjo super-femër?”. Përgjigjet shpalosen me thjeshtësi e janë pak a shumë zbavitëse. Vëmendja ime u pushtua dhe fillova t’i aforhesha ekranit kur u hapën tema të reja përtej luftës për ekzistencë. Nga mesi, Elizabeth pyet një gjeni rus që ishte nja dymbëdhjetë vjeç: “Çfarë do të bësh mbasi të kesh thyer gjithë rekordet botërore që në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç?” Pyetje me vend e ia bën mu që Elizabeth po ia bën vetes në radhë të parë. Pak më vonë, Benny Watts, një tjetër gjeni shahu që Elizabeth mezi ka arritur ta mundë, sjell një pyetje të dytë në fushë: “Pse qenkan sovietikët kaq më të pakapshëm se perëndimorët në shah?”
I marrim të dyja përgjigjet në mënyrë të ndërthurur dhe vjen edhe një shpërblim shtesë.
Benny Watts ka qenë në kampionate në Moskë dhe e ka kuptuar sesi funksionojnë rusët: ata punojnë në skuadër. Nuk janë individualistë si amerikanët e përqëndruar për të mundur të tjerët po bashkëpunojnë për të çuar lojën përtej limitesh të reja, dhe kur fitojnë, fitorja është e skuadrës psikologjikisht. Qëllimi këtu nuk është aspak të ngrihen në qiell ideale të ëndërruara sovietike por nje kritikë e mirëpritur e shoqërise perëndimore që përparon ideologjikisht shumë më ngadalë se ç’i rren mendja.
Këtë pjesë seria na e tregon me pamje. Gjatë kampionatit në Moskë, Elizabeth dallon rastësisht pas një dere të gjithë lojtarët rusë të garës të mbledhur rreth një tavoline e me pije në dorë, duke vrarë mendjen sesi të mundin Elizabeth. Mbasi e sheh këtë skenë, Elizabeth kthehet në dhomën e saj të hotelit dhe bën të njëjtën gjë por ama vetëm, e ulur ne tavolinë duke parë lojën nga afër deri në mëngjes. Të nesërmen Elizabeth fiton gjithsesi. Lojtari rus i mundur e i njëfarë moshe jo vetëm që nuk mërzitet, po shpreh magjepsjen për lojën e Elizabeth dhe e përgëzon me shumë dashamirësi duke ftuar publikun ta duartrokasë. Papritur ajri ndryshon me dorë për ne si shikues. Kalojmë nga pikëpamja e peshkaqenit ku duam që heroina jonë t’i mundë të gjithë, për më tepër këta “rusët e poshtër”, te një atmosferë e çlirët ku dukuritë e bukura janë edhe më të bukura sepse i ndajmë së bashku. Rusët nuk përjetojnë humbje në këtë moment, po ndajnë me botën mahnitjen përballë gjeniut që është Elizabeth Harmon.
Të nesërmen Elizabeth ndeshet me Borgov, lojëtari «më i mirë në botë». Elizabeth nuk e ka mundur dot kurrë. Loja zgjat aq shumë sa e ndalojnë për ta vazhduar të nesërmen. Ne si shikues e dimë shumë mirë që rusët do të mblidhen bashkë gjatë natës e do përpiqen ta zgjidhin lojën si skuadër. Atë që nuk e presim është të ndodhë e njëjta gjë nga ana e Elizabeth: një shok i vjetër gazetar i zbarkon në dhomë dhe i kalon telefonin. Pesë-gjashtë lojtarë të tjerë amerikanë të të njëjtit kalibër janë mbledhur në New York dhe po përpiqen të zgjidhin lojën Harmon kundër Borgov dhe ndajnë me Elizabeth çdo këshillë. Eshtë mallëngjyese. Nje tufë me ekspertë shahu rreth një tavoline me një qëllim të vetëm: këtë loje histoike ta fitojë shoqia jonë. Shoqia jonë e fiton lojën falë ndihmes së tyre por edhe falë kalibrit të vet që i thotë si të reagojë përballë të papriturave dhe në momentin e fitores, zhvillohen dy situata kyçe.
Borgov, që deri më sot e kishim parë si karikaturë ruse nevrike u ngrit e i tha me buzëqeshje të çlirët: «Eshtë loja jote, merre» dhe i dha gurin e tij, mbretin. Të gjithë duartrokasin me Borgov, përfshirë publikun amator rus që është jashtë duke ndjekur lojën në radio. Nuk shohim aspak një lojtar të egër më në fund të poshtëruar nga një vajzë e re për të na dhënë kënaqsi pushtuesi. Ajo që seria na dhuron është vlera e një fitoreje për të gjithë/a dhe dallimi i bukurisë përtej egos personale.
Nga ana tjeter e Atlantikut, na jepet skuadra që ndihmonte Elizabeth në shpërthim nga gëzimi duke i mëshuar mesazhit së loja e luajtur bashkë është më e bukur, se duhet luftuar kundër indiviualizmit dhe se lumturia gjendet në bashkëpunim.
Ama këtu duhet të bëjmë një pushim që të shohim qetë atë shperblimin shtesë që ende nuk e kisha parë ne ekran e në jetë jo se jo: solidaritet mashkullor për të ngritur një femër. Realiteti është i vështirë për t’u parë në sy por është i yni: solidariteti ështe e ka qenë kryesisht e historikisht mashkullor. Nga meshkujt për meshkujt. Nga femrat për meshkujt. Tani «The Queen’s Gambit» na tregon solidaritetin mashkullor të hapur për femrat na e ilustron se si mund të duket. Eshtë një mrekulli.
Historia mund të mbaronte këtu. Heroina fitoi! I mundi. Bravo. Le të shpërthejë festa. Ku është shampanja. Le te hyjë lavdia, egoja e pranuar nga shoqeria. Le ta shohim duke i dhënë dorën presidentit, duke dale në televizor, duke blerë çantë Chanel e çdo gjë që shoqëria kapitaliste ka për të ofruar por jo. Seria nuk mbaron me fitoren dhe epilogu i përgjigjet pyetjes që ju bë dymbedhjetëvjeçarit. Elizabeth i bën naftën të gjithë nderimeve të planifikuara nga të tjerët, përfshirë presidentit amerikan dhe është ulur në tavolinë në një park pensionistësh amatorë në Moskë. Elizabeth i la lavditë mbrapa e po luan shah për qejfin e vet duke na treguar se ku gjendet me tërë mend lumturia.
Ky mesazhi i fundit i bie në të në vitin 2020, edhe pse seria ka vite që është në krijim. Në mënyre të dhunshme, 2020-a na tregoi se nuk mund të varim qënien tonë vetëm në plane për të ardhmen, në arritje të përftytruara, në qëllime të paravendosura. Kur zbavitjet, gostitjet e hutimet e përditshme zhduken, a jemi të aftë të mësojmë të ndihemi të lumtur?