Kokë më kokë me Zini Dreqon.

Ora 19.30. Fillon edicioni i lajmeve. Njësoj si ne jemi rritur me zërin e Dhimitër Gjokës apo Virgjil Kules, fëmijët sot po rriten me zërin qetësues të Drinit, që çfarëdo lajmi të jetë duke na kumbuar, nuk e bën të tingëllojë aq tragjik. Dhe ndryshe prej asaj kohe, sot kemi mundësi t’i ndjekim personazhet publikë të preferuar dhe çfarë stili jetese kanë: si e kalojnë ditën, ku hanë, ku dalin, me kë rrinë…
Po ka gjithmonë për të gërmuar. Edhe Drinin e lag ndonjë makinë në ditë me shi, dhe atij i fiksohet ndonjë melodi në kokë gjithë ditën. E më the të thashë.
Ndaj unë i ndava disa pyetje me kushtin që të më përgjigjej sinqerisht, dhe si një gjerman i përpiktë që është përkundër botës sonë, ashtu veproi.

 Çfarë ta dha buzëqeshjen e parë sot?

Çdo ditë ka një motiv të veçantë që më bën të buzëqesh. Mund të jetë një mendim i bukur apo ngjarje reale. Sidoqoftë, buzëqeshja vjen pas kafesë së parë.

Gjëja e pare që bën sa shkon në shtëpi?

Një dush. Por edhe ushqimi, po e konkurroi.

A ka ndonjë gjë që të gjithë vdesin, por ty s’të ekzalton?

Hmm… Meqë jemi në festa, kjo puna e pemës. Nuk e di, sikur përtoj dhe më duket pak cliché. Ka plot mënyra të tjera për të zbukuruar ambientet!

Nëse do të duhej të jetoje vetëm me 2 lloje ushqimesh, cilat do të ishin?

E lehtë. Markarona dhe peshk.

A të ka kapur ndonjëherë e qeshura pa kontroll në moment aspak të përshtatshëm? Trego.

Patjetër që po. Më ka kapur në disa vende në fakt. Një rast shumë i sikletshëm ka qenë kur kishim shkuar per vizitë te një mikeshë që po kalonte një fatkeqësi. Ç’të tregoj, na kapi disa vetave me një batutë kot. Kur të zë e qeshura në grup, është e pamundur të përmbahesh.

Një gjë që ke qejf ta provosh po s’ta mban.

Të hidhem nga avioni me parashutë.

Tri gjërat që të pëlqejnë më së shumti në këtë qytet.

Më pëlqen që po jetoj aty ku u linda dhe u rrita, jo shumë mund ta thonë këtë.

Më pëlqen që kam qenë prezent në evolucionin e zonës së Bllokut, dhe është një zonë që e dua shumë ende.

Adhuroj punën time, dhe jam i vetëdijshëm që do e kisha të vështirë ta bëja diku tjeter.

Cilësia jote më e mirë dhe cilësia jote më e keqe.

Mund të duket e habitshme, por është e njëjta cilësi për të dyja.

Jam tip i drejtpërdrejtë.

Kënga jote e preferuar e viteve 90’.
Moby- Porcelain

Po e këndoj në kokë tani. Ke pasur ndonjëherë ndonjë nofkë në çfarëdo pike të jetës?

Po dhe e kam akoma! Zini Dreqo. Një lojë fjalësh e vendosur nga një koleg para shumë vitesh.

Vizatimori yt i preferuar.
Ka qenë një film për femije me një familje elefantësh. Babar.

Cilin film mund ta shikosh pa fund dhe pse.

Filma romatikë, për shkak të natyrës që kam. Por dhe “Tomka dhe shokët e tij”! Hë-hë.

Në çfarë vendi e ke fiksim të shkosh dhe pse.

Në Afrikë, te zanafilla. Do ishte fantastike të shihja një tjetër formë të jetës dhe qytetërimeve apo fiseve në zhdukje.

 Mësuesi/ja më i çuditshëm që ke pasur, dhe pse?

Ç‘më kujtove. Një profesor i gjermanishtes në shkollë të mesme. Ishte shumë serioz dhe po dhe kishte humor të paparë në të njëjtën kohë. Ishte beqar dhe mbaj mend qe vajzat e klasës e ngcmonin shumë për këtë fakt.

Cili nga theksat e shqipes të pëlqen më shumë?
Më pëlqen gegnishtja shumë.

Çfarë doje të bëheshe kur ishe i vogël?

Thjesht doja të bëhesha dhe e dija që kjo do të ndodhte. Besoja se do të bëja diçka ndryshe dhe Drinit të atëhershëm i them se ia dola.

Fëmijët që lindin sot, do rriten më mirë a më keq se ne?

Më mirë. Kanë më shumë informacion dhe aftësi për ta menaxhuar atë. Dhe më e rëndësishmja: kanë mundësi të gjejnë veten dhe talentin e tyre. Janë pa komplekse dhe kanë para vetes një botë që ne nuk e kishim.

Cilin shqiptar të famshëm  gjallë ose vdekur, që nuk ke takuar që ke shumë dëshirë ta takosh?

Pyetje shumë e bukur. Të madhin Skënderbe.

Barsaleta / shakaja jote e preferuar.

I ndërroj dhe për momentin nuk kam një të tille. Por më pëlqen të luaj me batutat që konsumohen në shoqëri me aktualitetin e këtij vendi, i cili di të jetë qesharak.

Hajt tani të mendohemi për kuptimin e jetës. 

Luksi, kjo e drejtë e lindur.

Një ndër punët e preferuara të fushës sime janë studimet e tregut, dhe më thellësisht, fokus grupet. Pasi ke arritur të bësh audiencën të ndihet rehat, aty dhe vetëm aty merr vesh me të vërtetë mentalitetin e një populli.

Një herë e një kohë, diskutohej për lifestyle – mënyrën e jetesës. Zotëria që kish marrë fjalimin, diku tek 55, tha gjithë vetë-mëshrim:

“Jetojmë në varfëri totale. Do ngrihesh në mëngjes? Një paketë cigare, do e blesh? Iku 3 mijë lekëshi. Do pish një kafe, do e pish dhe një të dytë. Do qerasësh tavolinën. Do blesh 400 lekë biletën e autobusit, dhe 400 me u kthy… Iku 10 mijë lekëshi në ditë pa e marrë vesh! Ne jetojmë në varfëri, mos na pyet më.”

Këtë shprehje e ka në majë të gjuhës ky popull, dhe e besojnë vërtetë që janë të varfër e gjynah.

Sikur zotëria në fjalë të kish nocionin bazë ç’do të thotë “varfëri totale”, do shprehej 100% ndryshe mbi hallet e tij. Sikur t’ia mbante këtë fjalim një zotërie tjetër nga bota e tretë që punon 14 orë pa ndalim për 50 cent dita, do hante një grusht në nofullën e tij plot kafeinë e nikotinë.

Kur shqiptari i shtresës së mesme, që është diku rreth 80% e popullsisë, thotë që ‘mbijeton’ çdo ditë, nuk tregon asgjë përveç se një papjekuri intelektuale e shpirtërore dhe mungesë konsiderate të plotë ndaj atij të varfërit të vërtetë. Ky shqiptar ka banim në pronësi (që këtu, me standarde botërore quhesh ‘i pasur’), ka ushqim mjaftueshëm, ka pajisje elektroshtëpiake, ka internet, ngrohje, veshmbathje të mjaftueshme, dhe një herë në vit ia del të pushojë në det.

Por jo, është i varfër.
Sepse e krahason veten çdo ditë me vendet perëndimore, të cilat përbëjnë thjesht 8% të popullsisë së botës. Atyre vetëm (jo gjithmonë!) u mbeten para nga rroga.
Krahasuar me ta, ne jemi qyqarë viktima. E sa i përket pjesës tjetër të planetit që jeton realisht në varfëri të skajshme, që është “thjesht” 80% e popullsisë, ata i shpërfillim totalisht si qenie të gjalla. Pff, asgjë për t’u konsideruar. Ne o ne, ne jemi të mjerët e planetit.
Më pëlqen ambicja, po mos të ishte e shoqëruar me arrogancë që e trajton luksin si të drejtën e lindur për qasje në oksigjen. Jo më larg se para disa ditësh lexova një vlerësim në tripadvisor për një restorant luksoz në Tiranë, dhe shkruesja në fjalë i kish dhënë vetëm 3 yje nga 5, me këtë arsyetim: “Restorant i shkëlqyer, për standard Michelin, po shumë shtrenjtë për shqiptarët. 😦 ”
Në atë moment u frymëzova dhe unë të marr e t’i shkruaj një letër Coco Chanel-it, dhe t’i thoja për çantën klasike “është shumë e bukur, perfekte, po 5000 Euro është shumë shtrenjtë për shqiptarët 😦 ”

Nuk e di nga vjen kjo e drejtë e lindur për cilësi jete pa paguar, nuk e kuptoj. Ndoshta Konica apo Mbreti Zog (s’jam shumë e qartë kush e ka thënë) kishin shumë të drejtë kur thoshin ky është vend i 3 milionë mbretërve.

Duke dhënë minimumin e kërkuar, (edhe një vlerësim me 5 yje ta kursen!!) shqiptari mesatar do më të mirën. Do të ketë lekë me bollëk për veset e veta. Do stil jetese oborrtarësh, ku shullehet në diell, duke dhënë absolutisht minimumin mbrapsht, ose dhe zero.

Zonjë, restoranti që ti quajte “shtrenjtë për shqiptarët” nuk po të shërben ty pasta bolonjeze me makarona supermarketi as jani me qepë me vajin më të lirë në treg. Po të shërben ajkën e kreativitetit kulinar, shoqëruar me produktet më të rralla e më të freskëta, shoqëruar me një ambient shumë të kushtueshëm, staf të trajnuar me lekë, etj etj. Po pse ta ngarkosh veten ti me gjithë këtë informacion! Jo o jo, është shtrenjtë, nuk ikën dot më aty ti! Francezit ia fal këtë restorant, madje as kthen kokën po i kalove pranë, po shqiptarit? Pse t’ia falësh, ai e ka për detyrë të të japë ty luks të lirë!
Zotëri i dashur, nuk je aspak i varfër nëse 30.000 Lekë në muaj i do për kafe, cigare, shoqëri, transport. I ke, pa i harxhon. Ti do doje të t’i falte dikush këto, se nuk e percepton dot që do punosh 2-fish për qejfin e luksin, se mendon që e ke të drejtë të lindur. Me po këtë mendje, vjen klienti që të kërkon shërbim, duke të thënë “kam dëgjuar që je më e mira në fushë, po unë s’kam aq lekë, kështu që do ma bësh punën me kaq sa kam”.

Jo zotëri. Më parë rri shkruaj artikuj dhe paguaj mirëmbajtjen e blogut, se të marr ty gjysmën e hakut që meritoj.

Eshtë tërësisht jo natyrale të pretendosh një jetë që nuk përputhet me atë që ke e që ofron.

Ndaj dhe fytyrat e ngrysura, viktimizimi, papjekuria.

Vetëm kur ke ulur kokën e ke punuar mjaftueshëm për ta përballuar e merituar shërbimin e shtrenjtë, nuk thua “shtrenjtë për shqiptarët”, se e di shumë mirë ç’po të ofrohet dhe pse ai çmim.

Nuk është e drejta jote të marrësh maksimumin duke dhënë minimumin.  Nuk të takon të pish koktejet më të sofistikuara në qytet, nëse s’do të paguash për to.  E drejta e lindur për luks i takon vetëm shtresës së pasur, qe o e ka fituar, o trashëguar.

E nëse do t’ua lësh fëmijëve si të drejtë të lindur, atëherë nuk janë ankesat që do e bëjnë të mundur, por tregëtia e drejtë: mirë, vështirë, shtrenjtë.

 

 

Do përshtatesh a do shuhesh?

Ka diçka mahnitëse me komunikimin në këtë vend. Nuk mund ta quash kush e di sa të pasjellshëm (në Europën Qëndrore kam parë shumë më keq!), as të ftohtë, e të ngrohtë jo se jo si në Amerikë për shembull…. Nuk mund ta quash as të unifikuar, siç është në vendet perëndimore, ku pothuaj kurrë nuk ke surpriza si këtu, që sa herë do kesh kontakt me dikë për herë të parë, duhet të përgatitesh për gjithçka.

Po që përfundimisht, tërësia e komunikimit, që nga të folurit me njëri-tjetrin, tek lajmet, marketingu e sinjalistika, ka diçka jashtë kohës ku jetojmë që vetëm kur je i rritur brenda terrotit të Shqipërisë e kupton. Dhe jo medoems e pranon.

– Mirëdita. Desha një sigurim për shëndetin në udhëtim.
– A jo, nuk presim.

– … Por e keni reklamën te dera?
– Jo jo, s’i presim më që atëherë.

– Hiq reklamën pra.
“Që atëherë”! A nuk është plot sharm kjo? Ç’moment kulminant në jetën e këtij dyqani gjithë reklama ngjitëse te dera është ‘atëherë’? Kur alienët të zaptuan zyrën dhe të riformatuan kompjuterat? Kur t’u përmbyt dyqani dhe të prishi gjithë letrat e siguracionit e s’ia vlente të bleje të reja? Kur u zu agjenti i kompanisë së sigurimeve me ty mbi % e secilit? Apo kur ti u ndave me burrin (mosha mbi 50) dhe ai mori gjysmën e biznesit, ti gjysmën. Fantastike. Mënyra ‘non-chalante’ si e tha ajo, merrte të mirëqenë që unë ia dija hallet.

 

Sot në mëngjes m’u ndal energjia. Asnjë ndodhi e panjohur për ne, por as ndodhi e zakonshme, se të themi të drejtën ka nja 10 vjet që kemi energji pa ndalim për 95% të kohës. Jemi tërësisht të papërgatitur për një moment të tillë. Jo si kur rritesha unë; kishim ngrohje me gaz, gatim me gaz, llampa me karikim që mbajnë orë të tëra. Pas 40 min frustrim, mora OSHEE në telefon dhe për çudinë time, aty nga telefonata e gjashtë, u përgjigj një burrë rreth të gjashtëdhjetave.

  • Përshëndetje, me OSHEE flas?
  • Po po.
  • Të marr nga kryqëzimi i rrugës X me rrugën Y dhe ka 40 minuta që s’ka drita. Desha të di a është problem madhor, apo do të vijnë shpejt, që po ashtu të marr masa.
  • Ça je ti, familjar, biznes a ça je?
  • Pse, ka rëndësi?
  • Po mirë më thuaj pallatin.
  • Nuk e di numrin por po të them kryqëzimin.
  • Jo më duhet pallati, si ta di unë ku ka problem po s’më the pallatin?

E drejtë, shkova të kërkoja një faturë me panik, se nuk e dija përmendësh.

  • Pallati nr. 9, 5
  • Si 9, 5?
  • Nuk e di zotëri, në adresën e faturës që më sjell ti, kështu shkruhet.
  • Si ta sjell unë? Unë s’shpërndaj fatura o goc.
  • Po mirë, ti je OSHEE, unë jam konsumatorja, s’ka asgjë personale këtu. Atëherë?
  • Mirë e mbajta shënim.
  • Të marr për 5 minuta?
  • Po për ça do marrësh o vajz’ se boll ndenja në telefon me ty, po kam respekt për telefonatën, e mora pra shënim.
  • Ju paraqita pyetjen se sa i madh është problemi që të marr masa? 1 orë apo 6 orë?
  • Ça do nga unë moj vajzë, s’e marr vesh, pse më mban në telefon?
  • Po shumë të qartë të bëra pyetjen! A është problem madhor, se po bëhet 1 orë, apo do vijnë shpejt! Ti nuk e ke përgjigjen do interesohesh, a të marr unë prapë apo do më marrësh ti?

Dhe ja ku fillova dhe unë, të flas me ‘ti’, rashë pre e presionit të një personi të një brezi që është 100% i papajisur për t’i shërbyer klientit.

  • Sa më shpejt që të munden teknikët.
  • Kjo përgjigje është e barabartë me ‘nuk e di’. Nuk thotë as 1 orë, as 8 orë.

E mbylli telefonin.

Ma mbylli.

Ti që po lexon, thua tani “po pse habitesh o goc, Shqipëri është këtu!”

Unë s’habitem aspak, se këtu jetoj e këtu jam rritur.

Por luftoj.

Se me thënë të drejtën, nuk e merr këtë trajtim nga kompanitë ku mosha mesatare është 20-45 le të themi.

Mundohem t’ia bëj të qartë zotërisë që më shumë prish punë se rregullon duke ngritur telefonin. Që në 2017, nuk komunikohet më kështu. Ti nuk je shteti i plotfuqishëm si në 1987, e unë jam delja që duhet të falem ty që më jep dritë. Ti për mua je një shërbim që nuk e paguaj aspak lirë, nuk kam as edhe një alternativë tjetër, dhe e vetmja gjë që marr prej teje është energji për sa kohë që ajo është. Se po nuk qe, s’marr asgjë tjetër, veçse trajtim të padenjë dhe pa respekt, se ashtu ju ka mësuar sistemi, dhe duke qenë të përfshirë vetëm me veten tuaj, në 30 vjet kohë s’jeni munduar fare të përshtateni me kohën.

Luftoj se vendosa të mos e lë këtë vend, familjen po e ndërtoj këtu. Dhe kjo pjesa e komunikimit, përveç anës kulturore, ka të bëjë shumë me brezat. Cfarë janë 40 e poshtë, i ka mësuar halli, demokracia, globalizmi të komunikojnë siç është për të komunikuar, duke bërë minimumin, të kuptohemi. Nuk hanë dot bukë e nuk çajnë dot po t’i mbyllin telefonin njerëzve.

Cfarë janë moshë 50 e lart, tërë jetën do i trajtojnë më të rinjtë si fëmijë, por të paedukatë. Se unë për vete, çfarëdo lloj fëmije e trajtoj si një individ që është dhe nuk kam mungesë respekti për dikë pse është më i ri se unë. Tërë jetën do jenë të indinjuar, dhe do thonë si ne nuk kemi respekt dhe ne shkatërruam çdo gjë që ata ndërtuan. (Çfarë, aman??)

Ndërkohë që unë, me gjithë mirësjelljen që e lejon etika universale, përfundoj duke debatuar në 80% të rasteve me njerëz të këtij brezi.

Çarls Darvini, studimin e të cilin duhet ta mësojnë të gjithë përmendësh po ashtu si mësojnë luftërat iliro-romake dhe mitokondrinë, pasi studioi me dhjetëvjeçarë si kemi arritur këtu ku jemi, arriti në një përfundim shumë fantastik dhe të vështirë për ta përtypur:

“Nuk është më i forti i species që mbijeton, dhe as më inteligjenti. Eshtë ai që i përshtatet më së miri ndryshimit”.
Pyes, edhe sa do i përshtatemi ne brezave të tërë që na mbajnë peng ne me refuzimin e tyre të ngurtë për t’u përshtatur ata kohës dhe neve?

Komunikimi është falas! Atë e ka në dorë çdokush.

__

E mjaft se ngele me sy në ekran tani. C’do më nga unë?

 

 

 

E ke bërë ndonjëherë pyetjen?

Qëllon që bisedat më ngacmuese ndodhin në rrethanat më të paparashikuara, mundësisht në një ambient ku ti je me përtesë dhe nuk pret asgjë vetëm do të ikin orët që t’i kthehesh rutinës tënde.

Të paktën kështu ndodhi me mua para ca kohësh. Një person që s’e njihja dhe ndoshta s’do ta takoj më kurrë, më pyeti “cila është sfida personale më e vështirë në jetë?” Kurrë nuk i dihet ç’po kalojnë njerëzit momentin kur takohesh me ta.

Unë e kisha përgjigjen. Por ishte e fshehur, dhe aspak e artikuluar në fjalë. Kështu që thjesht i bëra gëzuar gotën dhe i dhashë përgjigje që i përshtatej rastit.

***
Kur kam mundësi dhe jam në humor, kam qejf të shikoj Zonë e Lirë. Dhe përveç arsyeve të qarta, si argëtimi pa thelb apo ‘freak show’ shoqëruar me të qeshura që shkakotojnë këto, e kam qejf për një arsye tjetër: aty arrijnë të depërtojnë njerëzit më jashtë kornizave që prodhon ky popull, me një mendje krejt të vetën dhe pa asnjë lloj turpi për atë që kanë vendosur të jenë. “Unë jam Endri, më ndihmoni të bëhem Endra!” Kështu mirëpriten pa paragjykime, dhe ata ndihen të shlirë, shpesh duke e abuzuar formatin se fundja janë të pamësuar dhe të pa pajisur për t’u sjellë si duhet në ekran. Disa ia dalin të bëhen të famshëm, të tjerëve vetëm sa u bën dëm koha televizive… Eshtë personale pastaj. Por ata që na japin të qeshura dhe që mbledhin aq shumë urrejtje kanë ca ide të qarta, dhe kjo është shumë më shumë seç kanë shumica për të ofruar.
Dhe urrrejtja zakonisht është emocion reargues; për faktin që dikush ka guxim që ti nuk e ke.

***
Cila është sfida më e vështirë në jetë pra?

“Të bësh lekë!”

Përgjigjen shumica dërrmuese e shqiptarëve, që kanë një fiksim gati absurd me të mirën materiale dhe adhurim të verbër për kodoshat që ia dolën të mbushin dyshekun me para të thata. Nuk u vë dhe aq faj, jemi një popull që kemi dalë nga varfëri e skajshme dhe çdo ditë është fushë betejë për jetë më të mirë. Dhe po, është e vërtetë që varfëria të zhvesh nga dinjiteti. Eshtë edhe e vërtetë që mirëqenia të blen lumturinë, edhe po nuk ta bleu 100%, të blen vilën me ngrohje qëndrore ku mund të vajtosh mbi pjatën tënde të preferuar me gojën fringo të re.

Por unë e quaj fiksim absurd sepse deri sa të arrish te momenti që do “bësh lekë”, ke shumë hesape për të larë.
Dhe të gjitha këto hesape, janë me veten tënde.

Asnjeriut nuk i ra një valixhe në kokë me 1 milion dollarë. Në një moment të caktuar, ai/ajo po merrte vendimet e duhura dhe ja ku është sot.

(Në këtë analizë do doja të përjashtoja kodoshët që kanë kaluar thasët me drogë matanë kufirit dhe janë pasuruar; besoj realisht që merita e tyre e vetme qëndron në faktin që s’kanë asgjë për të humbur).

Mora për shembull lekët, se aty e kanë dhimtën më të madhe shumica.

Por dikush tjetër do të jetë i/e lumtur çdo ditë. Një tjetër do të lërë vepra madhore pas vetes. E një tjetër do të jetojë ditën që legalizohet martesa gej apo të hipë Everestin. Dhe siç e dimë, janë një përqindje 1 shifrore ata që ia dalin.

Shumë prej nesh, dëshirën e tyre e kanë aq thellë brenda që as janë në gjendje t’ia artikulojnë vetes, lëre pastaj të tjerëve. Dhe dëshira myket sepse e bllokojnë të ngrihet një nivel. Nuk e le sikleti i bashkëshortit/es, që fillon tund këmbën poshtë tavolinës kur përmendet kredia për biznes. Nuk e lë turpi i babit, që si do ua shpjegojë shokëve te kafja që vajza e tij do të bëhet mundëse. Nuk e lë rrudhja e vetullave të kolegëve dhe eprorëve kur ti propozon në takim një ide origjinale. Të shkatërron opinion i shoqërisë tënde underground që t’u pranosh që të pëlqen albumi i Rihannës. Ke frikë konkrete se mamaja jote do vdesë po të marrë vesh që je gej.

Dhe mëngjesi vjen, del para pasqyrës, kuron imazhin që ke bërë gjithmonë, del bën të njëjtat biseda, ëndërron që do shkosh në X koncert në pranverë, të njëjtat detyra ditore, kthehesh në darkë, ëndërron, thua “nesër do blej biletat”, por ditët vazhdojnë dhe ti je peng i jetës që ta ka paracaktuar shoqëria, familja, jeta në komunitet.

E pra e thënë thjesht, duket mëse e qartë që gjëja më e vështirë në jetë është t’i qëndrosh besnik vetes.

Ta dëgjosh atë zërin e mbytur në terr.

T’i japësh dorën të ngrihet në këmbë. T’i hapësh dritën të hipë shkallët.

Të injorosh me vendosmëri ç’mendojnë të tjerët. Sepse ata po të sabotojnë. Nga frika.

Të jesh gjithë kohës e prirur për të menduar që ka më mirë.

Që ty të përshtatet diçka tjetër.

Që të gjithë jemi ndryshe dhe s’kemi pse të sillemi si prodhim në seri.

Qenka pothuaj e pamundur të respektosh mendimin tënd vetëm se është pak më ndryshe nga ç’mendojnë të gjithë. Vetëm pse kështu kanë vepruar brez pas brezi. Tejet e vështirë që një zë të ngrihet mbi 12 të tjerë.

Por është e vetmja mënyrë. Jeta jote është vetëm e jotja, dhe me informacionin shkencor të deritanishëm, ke vetëm një të tillë. Për sa kohë çfarë ti do nuk është kriminale, jepi. Vetëm ti jeton në trupin tënd, kështu që vetëm ti e di se ç’e mban gjallë atë.

*Ky shkrim i kushtohet dhjetëra njerëzve frymëzues në botën shqiptare, që kanë pasur guximin të dëgjojnë veten, luftojnë edhe pse beteja sa vjen vështirësohet, dhe që i bëjnë një vesh shurdh opinionit të standardizuar.

#Metoo, kam një denoncim. Janë gra.

Në një nga punët e mia të kaluara në marketing, kisha në dorë “pushtetin” e shpërndarjes së disa dhuratave për punonjësit dhe miqtë e kompanisë. Ishin gjëra promocionale me vlerë të përditshme.

Me thënë të drejtën më kishte ardhur në majë të hundës me nëpunësit më hynin në zyrë orë e pa orë duke kërkuar për veten, vjehrrën, bashkëpunëtorët, fëmijët. Dhe në një moment të tillë lodhjeje, hyn një nëpunëse e re në moshë, me flokë të gjatë deri në bel, këmbtë të holla e sy të mëdhenj. Do ta quaj Roza. Kishte dëgjuar që unë isha frustruar dhe kisha shpërndarë llafin “nuk ka më”, dhe e dëshpëruar, më afrohet te kompjuteri, drejtoi trupin, shtyu kraharorin shumë pak para, mblodhi shumë pak buzët, ngriti edhe më pak vetullat, dhe më tha si qenushe:

“O Lura… Po unë që kam ngel pa asnjë dhuratë?” dhe përpëliti qerpikët.

Unë, famëkeqe për të shpërthyer të vërtetat në fytyrë të njerëzve, i them:

“O Roza, po nuk jam mashkull që ma luan! Nuk ka më dhurata dhe s’kemi ç’i bëjmë!”

Roza u shokua, erdhi në pozën normale që do merrte po të ishim thjesht në kafe, uli vetullat, qeshi me sikletin e njeriut që u zu gafil dhe në atë moment unë u ngrita dhe me batuta dhe shpjegime e shoqërova te dera.

Isha e tronditur. E tronditur me përgjigjen që i dhashë asaj. Sepse e dija që kisha të drejtë dhe ia lexova shumë saktë sjelljen Rozës. Po Roza ishte aq e re dhe kushdo që ia kish mësuar atë sjellje, nuk ia kishte sqaruar mirë që me meshkuj vetëm ecën, dhe jo me të gjithë.

Dhe tani, me skandalin e radhës në Hollivud, nuk e di pse po nuk po ndalem dot të ndihem keq për veten time duke kujtuar rastet kur meshkujt më kanë ngacmuar seksualisht. Dhe kjo gjë fillon shumë më herët seç jua merr mendja ju; ne mësohemi para pubertetit me këtë gjë. Dhe të jeni të bindur, “me too” është hashtagu i gabuar në këtë muhabet. I duhuri është “every single woman alive”/ “secila femër e gjallë”.

Por po ndalem të kujtoj të gjitha femrat që kam njohur në jetë, që janë sjellë si Roza që ditën që janë pjekur seksualisht, dhe e kanë intensifikuar edhe më rëndë këtë sjellje teksa janë bërë gra, duke ushqyer një marrëdhënie të sëmurë, të pasinqertë, dhe totalisht disfavorizuese për gratë që para kraharorit, shesin dijen, punën, personalitetin, krenarinë si vlerë promovuese.

Të gjithë ju keni njohur së paku pesë të tilla. Ajo, që do ta quajmë Lilith, nuk është me patjetër e bukur. Nuk është patjetër e zgjuar, edhe e aftë – pff – jo se jo. Lilith nuk vë hashtag #metoo, nuk komenton fare mbi trajtimin e pabarabartë gjinor, ndërron temë kur flitet për Weinstein, dhe në përgjithësi nuk ka aspiratë ta lërë botën më të mirë seç e gjeti. Lilith e di që nëse arrin të kontrollojë lëshimin e fermononeve në prezencë mashkullore, me durim do arrijë të marrë atë që do. Dhe dije, jo me patjetër Lilith do bëjë seks me çdo burrë që i duhet për të arritur aty ku do.
Lilith ka kuptuar 2 gjëra në këtë botë: a) burrat kanë në dorë shumicën e gjërave bazuar në gjenitalet me të cilat u lindën, dhe jo inteligjencën (dhe pse ta luftojë ajo këtë??? Pranoje!) b) një sasi të konsiderueshme burrash mund t’i bësh budallenj, kur je femër.

Kështu që: në prezencën mashkullore, hollon zërin, shtyn kraharorin para, zbërthen ndonjë kopsë, sheh në thellësi të syrit mashkullin përballë për shumë sekonda rresht, rrit bebet e syrit, lëshon feromone, dhe hiqet siku ka interes shumë në idetë e burrit në fjalë, kur në fakt e ka mendjen te një limë që pa te Rossman e po mendon kur të iki ta marrë. Pa thënë me fjalë, ajo me shikim e sjellje i transmeton mashkullit përballë tërë kohës idenë që bota s’ka kuptim pa të, ç’do bënim ne klloçkat e gjora pa kodoshin në krye të oborrit, dhe miraton kot me kokë. Ajo, dhe pse nuk ia thotë me fjalë, është duke ia thënë me energji tërë kohës: ti je mbreti. Unë do bëj ç’të duash ti.
Ndërkohë, ne prezencë të femrave të tjera, është njeri jo interesant, nuk pohon asgjë, nuk rri aq drejt, nuk të lë të flasësh, dhe në fund gjithmonë e çon bisedën në vetë viktimizim, që më vonë të bindë ty dhe meshkujt përreth që “Ja, e shikon? Nuk meresh dot vesh kurrë me femra!” Dhe meshkujt e besojnë. U beosjnë moj të varfërit u besojnë!

Të gjithë situatën ajo e rrotullon me energji, pa thënë fjalë të caktuara, në mënyrë që më vonë mos ta kapësh mat as që flirtoi me mashkullin, as që ofendoi femrën.

Ti Lilith, je mbetje toksike që do trajtim special. Abuzimi yt me naivitetin mashkullor, lë prapa mijëra femra që edhe pse mund të jenë shumë herë më të bukura se ti, kanë një jetë që shtyhen për të marrë karrike të barabartë në vendimmarrje dhe i kanë çuar energjitë të shesin personalitetin e tyre mbi të gjitha. Je duke i zënë diellin mijëra femrave të tjera që punojnë sa për 10 burra, kanë gjykim më të fortë se shefat e tyre, po nuk flasin kurrë sepse janë të shukatura nga rendi pervers i botës, mundësuar nga Lilithërat anembanë. Dhe në fund të fundit, je duke i vënë bërrylin mijëra grave të tjera që ndoshta s’kanë asgjë ekstra për të ofruar, por prapë janë bishti, sepse mijëra burra që s’kanë asgjë ekstra për të ofruar, janë para tyre në hierarki. Mundësuar nga ti, Lilith.

Të padis ty Lilith, për prishje të rendit publik dhe për shkelje të të drejtave bazë të grave.

Dhe pas Lilith, do padis Sitën.

Sita është këto mijëra gratë e eklipsuara nga Lilith. Sita nuk ka pikën e interest të shesë seksualitetin e saj, por ka sy të fortë, mendje të mprehtë, e kupton ç’po ndodh, ka vite që pret radhën, dhe nuk flet. Zëri i dëgjohet vetëm kur e pyesin. Sita ikën në shtëpi e bën gjumin rehat me idenë “kështu është kjo botë” dhe “nuk më takon mua të flas” dhe “vendimet i merr tjetërkush” dhe “E po fola unë se mos do ndryshojë gjë!”

Ti vetëm ekzekuton, pohon, dhe i ke sytë nga qielli për ndonjë mrekulli, se po ashtu si Lilith, nuk ke interes ta lësh botën më të mirë seç e gjete.

Të padis për konspiracion me Lilith dhe mungesë shtylle kurrizore, kur në fakt je gjitare.

Dhe jashtë kësaj shfaqjeje të shëmtuar, ne Gaiat që duam thjeshtë të çajmë para në jetë me meritë dhe asgjë tjëtër, që tërë kohës mundohemi t’u tregojnë burrave që Lilithat janë të paafta ndaj silen ashtu, dhe teksa shohim me dëshpërim Sitat për ndihmë, jemi duke shkelur në legot që na lanë Sitat, duke e bërë rrugëtimin të pamundur.

Dhe mendoj sinqerisht që abuzimi seksual që bëjnë meshkujt me gra të ndryshme, reduktohet drastikisht nëse shkatërrojmë si duhet mbetjet toksikse Lilith. Nëse ato nuk do të ekzsitonin, atëherë do të ngelnin vetëm burrat përdhunes që në fakt janë kriminelë, dhe janë shumë pak.
Fenomeni kaq i përhapur i abuzimit seksual për karrierë do të venitej.
Lilithat duhen paditur, u duhet vënë gishti në ftyrë, duhen turpëruar çdo moment që kemi mundësi, së bashku me meshkujt që u shkojnë atyre pas avazit.

Kështu që e dashur grua/vajzë që lexove deri këtu dhe që e di për çfarë po flas, mos hesht më. Nuk është shfaqja e dikjut tjetër, është jeta jote. Do zgjohesh një ditë 50 vjeç dhe do të të përndjekë rinia jote ku vendose të heshtje e të bindeshe. Bëjini Lilithat turp publik si hajduti me nam. Se në fund të ditës, janë hajdute, që po të marrin hakun ty, bazuar në instikte kafshërore, që nuk janë as punë, as talent, as karakter.

#Metoo, jam abuzuar nga një grua e tillë.

Populli s’ka bukë të hajë, ti merresh me qentë! Pf!

Sa vite më ka ndjekur kjo shprehje patetike! Sa herë e kam parë nëpër komente, ma kanë thënë në sy, e ia kanë thënë të afërmve të mi. Jo vetëm kur kam mbrojtur qentë e rrugës; po dhe kur diskutohen çështje si trasta apo qese, makinë automatike apo manuale, quinoa apo bulgur. Populli s’ka bukë të hajë, ti flet për quinoa! Populli s’ka bukë të hajë, ti o goce je në mes të luksit!

Shprehjet si kjo janë popullizma të ulëta për të të bërë ty të ndihesh keq, e pandjeshme, dhe si njeri që nuk di prioritetet e kësaj bote; me qëllimin që thënësi i kësaj shprehjeje të ndihet mirë për veten. Shprehjet si kjo janë si ato meshkujt tërësisht jo rehat në lëkurën e tyre, që kur duan të të gjuajnë, fjala e parë është diçka denigruese që ta ngrenë veten më lart se ti, me shpresën se po të poshtëruan, do u shkosh nga mbrapa. “Sa shtresa ton ke hedh?” Ishte fjala e parë që njëri i tha shoqes sime, dhe pastaj e ndoqi 3 muaj shoqen. Ose “ça ke pse dukesh me nerva e lodhur?” ndërkohë ai vetë po vdes nga sikleti, po do me ndërru muhabetin që ti t’i justifikohesh.

Kur ti shkruan apo thua fjalët “njerëzit s’kanë bukë të hanë”, je duke iu referuar mungesës ose vështirësisë së gjetjes së funksionit bazë të çdo gjallese, dhe kur një njeri ka vështirësi të tilla, klasifikohet në varfëri ekstreme. Sipas një studimi në open data, 9 vjet më parë shqiptarët në varfëri ekstreme ishin diku te 13%, dhe ti po u referohesh vetëm atyre, duke injoruar 87% të popullsisë. (Ma merr mendja % ka luhatje të vogël +/-.) Ata jetojnë me nën 5000 Lekë të ardhura në muaj.

Ky 13% që s’ka bukë të hajë është te cepi i rrugës duke shitur çfarë i ka bërë oborri e pula sot, duke mbledhur kartona në kazane plehrash, duke lypur, duke shitur stilolapsa e leukoplast, duke nxjerrë fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë. Ky popull është konsumatori i telefonave jo inteligjentë, në rastet kur i kanë. Sigurisht 800 Lekë rimbushje në muaj është e pa imagjinueshme për ta, por ndoshta kanë një numër për familje që e mbajnë gjallë me 100 Lekësha, që mos të dalë jashtë përdorimit.

Ky lloj populli është aq i zënë të sigurojë mbijetesën, sa nuk ka qasje fare në artikuj si ky, nuk ka qasje në internet apo facebook dhe ndoshta dhe as kanë parë si duken këto të dyja, nuk e di që shoqatat kafshëdashëse po përpiqen të shtyjnë ligj në parlament për mbrojtjen e putroshëve, nuk ia kanë idenë çfarë është bulguri, nuk e dinë që veganët nuk e hanë djathin me zgjedhje, dhe shpesh nuk kanë aftësi lexuese të rrjedhshme. Kështu që këta njerëz as nuk kanë as dijen as platformën e as cinizmin të thonë “hej, lëri qentë e rrugës, se unë nuk kam bukë të ha!” Zakonisht janë të qeshur kur u flet, po dhe kur janë të hidhur – a u vë dot faj?? – është shumë e drejtpërdrejtë, dhe jo fshehur pas ekranit retina me touch screen.
A e di ku është ironia më e madhe? Tek ata që kanë dijen dhe cinizmin të thonë këtë shprehje.

Ajo vjen nga njerëz që kanë bukë e shumë më shumë për të ngrënë. Kanë lekë të pinë kafe, të hanë chicken fingers, kanë kohë, kanë shoqëri, smart TV e kuletë lëkure. Këta njerëz janë dorëzuar rutinës së tyre dhe nuk ndërmarrin asnjë pasion, nuk janë aktivistë të asgjëje, nuk mbështesin asnjë ide përveç partisë së tyre apo skuadrës së futbollit, dhe si të gjithë që kanë bukë të hanë, e çojnë kohën e lirë duke lëvizur poshtë ekranin e telefonit inteligjent, duke komentuar me mllef.  Dhe pas shumë vitesh që më përndjek kjo shprehje, kam kuptuar që ka vetëm një burim pse e thonë këtë: xhelozi e pastër.
Xhelozi që ata njerëz kanë po aq kohë sa aktivisti i kafshëve apo i komunitetit LGBT, po përkundër këtyre, ky që komenton “populli s’ka bukë të hajë” nuk është i zëshëm për asgjë dhe përton të merret me çfarëdolloj gjëje që nuk është rutinë. Asaj/atij i vjen inat që unë kam harxhuar plot orë për t’u informuar mbi të drejtat e kafshëve dhe si merret bota me to, dhe po përpiqem ta sjell këtu dijen. Asaj/atij i vjen plasja që disa të tjerë, dhe pse rritur në familje konservatore (e ku ka shqiptar që nuk është rritur ashtu!) e ka gjetur kohën dhe ka pasur guximin të hapë mendjen mbi të pranuarit njerëzit jo hetero.

Ai s’ka kauzë, s’ka pasione. Ajo është dembele. Sepse kush ka të paktën një pasion, kurrë nuk hedh poshtë kauzën e tjetrit. Unë për shembull i kam investuar energjitë e mia te mbrojtja e kafshëve, te trajtimi i barabartë i grave, dhe çfarë ka tepruar në çështje ambientaliste.

Nuk jam marrë dot kurrë aktivisht me mbrojtjen e Valbonës dhe Vjosës, madje as me mbjelljen e drunjve në Lurë.
E ç’të bëj unë tani? T’u komentoj atyre që do bëjnë koncert për Vjosën: Njerëzit s’kanë bukë të hanë, ju merreni me devijim lumi! Njerëzit s’kanë bukë të hanë, ju merreni me hidrocentrale!
Njerëzit s’kanë bukë të hanë, ju merreni me ndërgjegjësim për down syndrome!

Një mini eksperiment për ty: për fjalinë e parë që do thotë personi afër teje, thuaji: “Njerëzit s’kanë bukë të hanë, ti dashke….”

E pe çfarë fjalie kameleon është? I shkon për shtat absolutisht çdo lloj pohimi, sepse mos ngrënia është forma më e ulët e jetesës!

Një pyetje kam për ju që na kujtoni që populli s’ka bukë të hajë: ne të tjerët që merremi me lloj lloj çështjesh, kaq e paskemi kapacitetin, na interesokan vetëm kafshët apo komuniteti gej. Të tillë të pafytyrë jemi, e pranojmë. Ne nuk na u bëka vonë për popullin që s’ka bukë të hajë. Çfarë njerëzish kot që jemi!
Po ty që të intereson buka e popullit: çfarë po bën ti që populli të ketë bukë të hajë?

Sa keni përparuar me çështjen tuaj? A është rritur ndopak buka nga komentet dhe xhelozia juaj?
Jam në pritje.
—-
Njerëzit s’kanë bukë të hanë, ti dashke me lexu blog!

Nuk të lexoj po nuk shave njeri!

Tekstualisht këto fjalë m’i tha një miku im para ca ditësh. Jo që nuk e dija, se fundja artikujt që bëhen më viralë në newsfeed-in tim janë sigurisht kur përmendet fjala “ku..vë” kot më kot (zakonisht kundra ndonjë femre të suksesshme ose kundra nënës së një biri të suksesshëm). U çua ai boti mbrapsht dhe vendosi të shajë me emra. Ndërsa një tjetër vendosi të shkelë parimet për t’ia dalë, por nuk ia doli, dhe kjo gjë e ka tërbuar, se kuptoi që dhe dallaverja ka shkollën e vet. Dhe i japin penës me furi, kryesisht fjalën ‘k..vë” me qejf të madh duke e shkruar, por dhe plot gjëra të tjera aspak interesante.

Këto artikuj, me mbidozë dufi e xhelozie i sheh kudo, me njerëz që i shpërndajnë me diçitura të tipit “hë më të lumtë pena!”

Por unë e kam të pamundur të kem respekt për mllefin që mundohet medomos të gjejë problemin sa më larg vetes, duke evituar në mënyrë spektakolare pasqyrën, ndonjë herë dhe më kuptimin e parë të fjalës.

E dimë ç’politikanë kemi.

I zgjodhëm vetë, dolën nga ne. Mendon që mund të bësh punë më të mirë? Fillo nga fisi, lagjja, TV e nëse e mban dot në kurriz atë lloj përgjegjësie super-natyrale pa cenuar as edhe një grimë integritetin e parimet e tua, dhe ia del të marrësh gjithmonë vendimin më të duhur për çdo qytetar që merr frymë, jepi se do të të japim një shans.

E dimë ç’institucione kemi.
Ata që punojnë aty janë rrasur në të prapmet e fistarit të vet politikan, ose ia falën shpirtin partisë hyjnore që i trokiti në derë duke ofruar vend pune në këmbim të votës, dhe është investimi i vetëm që kanë bërë, në vend se të përmirësonin veten e tyre, të mësonin diçka të re, apo të zhvillonin një pasion.

E dimë ç’shoqata kemi.

Janë kapur me një temë të caktuar, marrin ato fonde për atë temë, e më shumë risi ke në projektet e studentëve (nëse i lexoi njeri) sesa nga projektet e zbatuara të këtyre shoqatave.

E dimë ç’mësuesë kemi. Në gjimnaz u trondit kolektivi i mësuesve se unë ofrova një prespektivë ndryshe mbi një personazh letrar të rëndësishëm. Mendim i lirë? Ulu, 6! Vetëm meqë e ke lexuar librin, se për 4 me xhufkë je me këto që the!

E dimë ç’policë kemi.

Parkojnë shtrembër ndërkohë që s’kishin rripin lidhur, për të dalë e për të gjobitur ata që s’kishin rripin lidhur e që kanë parkuar shtrembër. Unë për vete për 2 lekë i bëj, dhe zakonisht përfundon ata duke më kërkuar falje mua. (Kam dëshmitarë!)

E patë sa kollaj për të sharë?

Tani këtij policit po i vë një emër, politikanit emër mbiemër edhe emër nëne, asaj drejtoreshës së instituit emër, mbiemër vajzërie, emër fëmije, sha e mallko, quaji k..va të gjithë dhe ja ku e ke, mijëra klikime me “hë më të lumtë pena”.
Po jo, nuk funksionon ashtu.

Refuzoj t’i personalizoj gjërat. Refuzoj të mishëroj barcoletat ku Nastradini nuk kërkon pasuri për vete, po kërkon t’i hiqet komshiut. Refuzoj dhe më fort të bie pre e diskutimeve politike, ku djalli është gjithmonë tjetri, e partia jote është shenjtore. Jo o zonjë jo. Aspak zotëri, nuk ecet para ashtu.

Unë e shoh të pasqyruar te radha e furrës deputetin X, te roja e parkimit policin Y, te dadoja ime mësuesen Z. Nuk ranë nga qielli këta njerëz që duhet të shajmë, dolën nga këto radha e pazare e kafe. Edhe nëse do shaj ndonjë person publik, nuk do bëj vetëm për të turpëruar atë, po në përpjekje për të ndërgjegjësuar ty e mua që gjejmë veten në sjelljen e saj/tij.
Jo, nuk e kam personale me askënd, dhe e kam personale me të gjithë.

Janë mekanizmat e mërzitshme të përditshmërisë që vënë në lëvizje turbinën madhore që duhet ta shajmë për popullaritet. Kushdo që është në majë të turbinës që ia vleka për t’u përmendur, ka qenë këtu në dhé një herë, pastaj është ngritur një shkallë, pastaj dhjetë për një herë, deri sa hipi në majë.

Kështu që preferoj të dal në rrugë me pasqyrë, të shoh veten dhe t’ua tregoj të tjerëve herë pas here. E nëse aty reflektohet dhe Pop Star-ja më e klikuar apo politikani më i sharë, do ia drejtoj pasqyrën përballë. Dhe ashtu nxirren në pah dukuri, ndizen motorët e humorit, i bihet fort tastierës dhe afishohet shkrimi.

E meqë e lexove deri në fund, urdhëro një dhuratë: fjala “k..vë” për të katërtën herë 🙂