Dashuria që zgjat një jetë

Nëse ka diçka mbi të tjerat që balancon dhimbjen që bart ky planeti ynë plot jetë, janë këngët, poezitë, filmat, buzëqeshjet me bisht të syrit, fluturat në stomak, karagjozllëqet dhe sparkatat… Në emër të dashurisë.

Në emër të fiksimit.

Të asaj/atij që ty të duket njeriu më i bukur në botë.

Të atij/asaj që ti para se të identifikosh rrezikun, e ke identifikuar a ndodhet në të njëjtin ambient me ty. Të gjithë e kemi provuar, pasi ndjenja më superiore në planet nuk njeh moshë.

Ah, sa goca kanë qarë për Great Gatsby apo The Notebook. Sa çuna kanë qarë “Adrienne!” (fshehurazi, të shkretët meshkuj sa vuajnë në emër të macho-izmit!), apo me Good Will Hunting… Të gjithë pa përjashtim, në emër të dashurisë. Që dy persona që janë duke u përvëluar për njëri-tjetrin, të jetojnë të lumtur përgjithmonë.
Aty më rri. “Përgjithmonë”.

Pak vepra madhore, për mos të thënë hiç, flasin se ç’bëhet X vjet pasi çifiti që takohej fshehurazi, po bashkëjetojnë. Pothuaj asnjë film, asnjë këngë, ndoshta disa poezi përkushtuar njeriut me të cilin ke ndarë jetën… Sepse dashuria, po ashtu si lumturia, nuk është qëllim, nuk është fundi. Dashuria fillimisht piketohet si ‘fiksimi’, pranohet që është më e thellë se aq, kur arrihet, përjetohet me zjarr, të nxjerr jashtë Rrugës së Qumshtit, të kthen ngadalë në Tokë… Dhe një mëngjes, kohë pas udhëtimit kozmik, ti ngrihesh ngjitur dashurisë tënde, e acaruar që ai nuk ka derdhur plehrat mbrëmë, që nuk të bën më aq shumë për të qeshur si në fillim, i acaruar që ajo ta ka zënë 80% të krevatit me gjumin e saj dhe që ajo nuk buzëqesh aq shumë sa në fillim…
Duhet blerë kos, letër higjenike, duhet thirrur hidrauliku dhe duhen sinkronizuar pushimet.

Dashuria aty është, mos më keqkupto. Po disa njerëz nuk e kuptojnë këtë gjë, trashen, duan prapë xixëllonjat e 2 viteve të para… Dhe ose i vënë shkelmin, e dashurohen me dikë tjetër, duke ribërë të njëjtën gjë deri sa të vijë fatura e internetit dhe të thirret hidrauliku… Ose harrojnë kush ishin, nuk shprehin më dashuri, ndërrojnë pamje dhe i dorëzohen tërësisht rutinës ashtu si dikur i dorëzoheshin tërësisht epshit.
Dhe janë të tjerët pastaj, heronjtë e këtij artikulli, për të cilët nuk para flet kush. Ato/a që e dinë që janë të dashuruar, po e dinë dhe që dashuria s’është kaktus që mbijeton pa ujë dhe 2 vjet rresht. Çdo mëngjes është lufta Iliro-Romake: ngrihu atëherë kur nuk do, merr mburojën dhe përballu me fëmijët (kur i ke) që duhen bërë gati, merr shtizën për t’u përballur me kuzhinën nga dje, merr kurajo për t’i dalë para pasqyës që të shpenzosh disa minuta për t’u dukur njeri dhe jo skllav, dhe pasi je nisur për nga dera, mos të harrosh kurrë, ama kurrë, t’i buzëqeshësh partnerit/es siç i buzëqeshje kur gjuheshit, e t’i thuash të dua.
T’i thuash “je bërë shumë e bukur sot”.
T’i thuash “kur do ikim pak larg vetëm ne të dy një fundjavë?” Ndodh apo s’ndodh, pak rëndësi ka.
T’i çosh një sms me zemra gjatë ditës.
T’i bërtasësh në darkë që edhe pse i the 5 herë ç’të blinte, i ka ngatërruar.

Natën t’i thuash ‘natën shpirt’.

T’i blesh një dhuratë që s’është nevojë e përditshme.

T’i thuash “ik dil me shoqet se je lodhur”.

Të bësh dashuri dhe jo detyrim martesor.

Kjo është dashuria e vërtetë. Ndoshta nuk je i zoti/e zonja me fjalë; ka plot mënyra. Ajo që ushqehet çdo ditë me një shikim, me fjalë, e me vepra aty-këtu. Kjo ka garanci mbase dhe sa vetë jeta. Kjo dashuri është e shoqëruar me një rutinë të mërzitshme dhe sigurisht, në 100% të rasteve, me më pak përvëlim se në fillim. Po kjo do kurajo dhe pjekuri për të kuptuar që jeta për askënd në botë nuk është 60 vjet pasion pa ndalim, po është një punë e bukur, që ju mban ju të bukur.

Gëzuar gjithë çifteve që kanë shumë gjatë bashkë, dhe akoma u qeshin sytë kur shohin njëri tjetrin.

Një llaf të mirë desha.

Kur kam shkuar për herë të parë në Amerikë, nuk kishte se si mos të më linte përshtypje pritja spektaklore në biznesin më të rëndomtë nga një njeri që s’e kisha takuar kurrë në jetë e me siguri s’do e takoja më.
“Hi sweety how are you? You look wonderful today!”
“Mirëdita zemër si je? Dukesh e mrekullueshme sot!”

Shumë shqiptarë atje akoma s’mësoheshin dot me këtë mënyrë komunikimi, dhe më të papjekurit ndër ta dhe ua kthenin me shaka shqip, çka mua më dukej e panevojshme. U dukej ‘amerikanizëm’, ‘furrçe’, ‘servilizëm’ e fjalë të tjera që lëri fare. Ishte një trend që dhe te ne, sapo kish filluar. Ndërkohë që në vitet 90’ na u desh ta kalonim duke u çmësuar me ‘shoqe, shok, xhaxhi, teta’, në fillimet e 00’ në rrethe të caktuara rifilloi ‘zemra, ylli, shpirti’. Mua s’më ka bezdisur kurrë kjo gjë, e si në Amerikë si këtu nuk e quaj dot furrçe, se jo për gjë po “furrçe”-n besoj se di ta dalloj mirë.

Furrçja është forma më e ulët e të marrit me të mira, për të marrë mbrapsht atë që të duhet. Kjo me të vërtetë di të jetë e bezdisshme, dhe vjen nga njerëz me ngrohtësi të kufizuar dhe pikërisht pse ata e dinë këtë gjë, të bëjnë dush që me mëngjes me lëvdata se çfarë njeriu je ti, si krahasohesh me perënditë dhe me eliksiret e planetit Tokë. Herët e para të lezeton, kush nuk i do fjalët e mira? (Përveç atij shqiptarit në Amerikë që zgërdhihet me sy në tokë). Po pastaj ia pi lëngun. Pastaj përton t’i përgjigjesh në telefon, rrotullon sytë teksa personi në fjalë rreshton fjalimet, dhe të vjen t’i thuash direkt “ça halli ke dil në temë”.

Po kjo nuk është e njëjta gjë si kur hyn në bankë apo në kafe, dhe personi që do të të shërbejë të pret me buzëqeshje, të bën një kompliment gjenerik ose dhe personal, dhe pastaj vazhdon marrëdhënia e ëmbël e cila filloi siç duhet, me këmbën e djathtë.

Po te ne ndodh ende shumë pak. S’krahasohet me 15 vjet më parë, po prapë ti je vetull ngrysur se si do komunikosh me dikë që po komunikon për herë të parë. Mbase sepse jemi shumë të përfshirë vetëm te vetja jonë dhe hallet tona, këtë temë e kam cekur dhe më herët ne fakt. Por cilado qoftë arsyeja, ka ardhur koha, siç e do dhe viti 2018, të piqemi “komunikimisht”. Buzëqeshja  dhe përgjigja kur të kërkohet, nuk ka pse të jetë as luks e as “me tip”. Atë e vesh në mëngjes si rrobat. Kur ti si shërbim dhënës bën një gabim, para se të arrish ta korrigjosh ose të thuash pse nuk e korrigjove, duhet të marrësh me të mira, të kërkosh falje. Jo të fillojë faji zinxhir “pse u derdh makiato mbi sheqer e tabaka” me fytyrë të shqetësuar që nga baristi te makina e espresos e shoferit që solli pakot e kafes në mëngjes.

Komunikimi është edukatë me pahir, nuk është me “tip”. Përgjigja, fjalët e mirësjelljes, sqarimi dinjitoz pa kaluar degë më degë, buzëqeshja, e sërish përgjigja, përgjigja… Janë detyrime adultësh. Edhe nëse nuk ta mësoi familja, duhet të ta mësojë puna e jeta me zor.

Lindja e Largët ka një thënie të lezetshme: “Kujdes mendimet, ato bëhen fjalë. Kujdes fjalët, ato bëhen zakone. Kujdes zakonet, ato bëhen karakteri yt. Kujdes karakterin, bëhet fati yt”.

E kuptoj që një thënie e tillë do ndryshim radikal të mënyrës së jetesës, po mund të fillohet në gjysëm të saj: Kujdes komunikimin: zbërthyer në fjalët e buzëqeshjen.

Besomëni, bën magjira. Jo vetëm në marrëdhënie me të tjerët, por me veten.

Kokë poshtë me Anjën.

Një ndër blogeret e para shqiptare të modës, Anja është duke bredhur botën me punë, sepse është një ndër njerëzit e paktë që e ka kthyer pasionin e saj – modën – në para të vërteta.

Unë e kam ditur që do bënte zhurmë. Në një epokë tjeter, kur ishim shoqe në një shkollë me uniforma në konvikt/kapanon dhe me pjesëmarrëse të vetëm gjinisë sonë, trashja arrihej që në orët e para të mëngjesit dhe shpesh kuptoheshim thjesht me sy për prapësinë e radhës.
Një herë i vodhëm topin e miut (po, kohët kur miu i kompjuterit ka pasur top!!) profesorit të informatikës. U nxeh. Kërcënoi. Kërcënoi edhe më shumë. Ia lamë në mes të dhomës pa e ditur ai se kush/kur. U nxeh edhe më shumë. Janë këta njerëz që ndryshojnë botën dhe kanë jetë super interesante. Ja disa copëza.
Ndiqni Anjezën në Facebook: The Dolls Factory by Anja Tufina
Instagram: anjatufina
1. Cfarë gjëje ta dha buzëqeshjen e parë sot?
Cdo mengjes është Fuji qenushja ime e vogël që më jep buzëqeshjen e parë. Vetëm për atë pozitivitet me të cilin te ndihmon të fillosh ditën, çdo person duhet të ketë një kafshë shtepiake. (Jo oborri)

2. Vetëm e vogël që nuk është qenushja jote. Gjëja e pare që bën sa shkon në shtëpi…?
Kur në shtëpi ke dhe zyrën, ulesh në tavolinë dhe fillon punën. Gjë që bën që shpesh ta kem të vështirë të ndaj punën nga relaksi.
3. Çfarë është një gjë që të gjithë vdesin po ti e urren?
Kardashians 🙂 dhe të shoh televizor. Ideja e konsumimit pasiv të programeve televizive dhe shpenzimi i kohës para ekranit në mënyrë jo produktive është arsyeja pse unë televizorin e parë e kam blerë vetëm në 2017. Ndodhi pasi u bë e mundur të shoh programe në ‘streaming’ në mënyrë më të personalizuar. Fakti që në çdo shtëpi shqiptare televizori është gjithmonë i hapur, e urrej. Duket sikur njerëzit kanë frikë të rrinë vetëm dhe duan nje shoqërues të zhurmshëm.
4. Po si t’ia bëjmë Kardashians që dhe unë i urrej! Nëse do të duhej të jetoje vetëm me 2 lloje ushqimesh, cilat do të ishin?
Bamje dhe speca te mbushur.
5. Shqiptare 100%. A të ka kapur ndonjëherë e qeshura pa kontroll në moment aspak të përshtatshëm? Trego.
Historia me qeshjen më të gjatë ka qenë gjatë një provimi me shkrim. Po lexoja pyetjen me mendje dhe një frazë e lexova gabim, sikur të ishte një fjalë e pisët shqip, ndërkohë që pyetja ishte e shkruar në anglisht. Aty më kapi keq në një auditor me 120 studentë, në provimin më të vështirë: statistika. Ishe provimi i fundit pas një lodhje të gjatë dhe gjendja ime mendore të linte për të dëshiruar. Profesori më nxori që të qetësohesha, nuk kam pushuar për 30 min aq sa më merrej fryma!
6. Një gjë që ke qejf ta provosh po s’ta mban.
Bungee jumping dhe sky diving. Por edhe një udhëtim ne Indi nuk ma mban sepse India nuk është shtet, është shumë shtete edhe kultura bashkë, por nuk është një vend i sigurt sidomos kur je femër dhe dëshiron të bësh një udhëtim jashtë paketave turistike.
7. Tri gjërat që të pëlqejnë më së shumti në këtë qytet.
Arkitektura e lënë pas nga Mussolini sepse është e vetmja pjesë e qytetit që na ka dhënë rregull urbanistik, ndërkohë që përreth po krijojmë një xhungël urbane. … U mundova të gjej 3, por mendja filloi të fluturojë në 100 problemet e tjera. Tirana është si ai filmi ‘Unë, Ti dhe Kasandra’. Unë e dashuroj, por ajo ka hyrë në një spirale vetëshkatërrimi dhe unë akoma mendoj se dashuria ime bashkë me dashurinë e shumë të rinjve të tjerë do mjaftojë per ta nxjerrë nga kjo spirale. E dimë të gjithë si mbaroi filmi. Shpresojmë që ne të jemi më të suksesshëm se Teuta.
8. Cilësia jote më e mirë dhe cilësia jote më e keqe.
Cilësia ime më e mirë është që jam e hapur për te provuar çdo eksperiencë, për të folur me çdo person. E filloj ditën me një ‘Can Do Attitude’ dhe kjo gjë më ka sjellë shumë aventura pozitive por edhe falimentime. Një shprehje që me pelqen të ndjek është: ‘ Nëse nuk ke arritur suksesin, do të thotë qe nuk ke dështuar mjaftueshëm’. Cilësia më e keqe është menaxhimi i kohës. Jam e shpërndarë në shumë projekte pune dhe jete, dhe shpesh diçka më rrëshket.
9. Kënga jote e preferuar e viteve 90’.
Creep – Radiohead
10. Ke pasur ndonjëherë ndonjë nofkë në çfarëdo pike të jetës?
Përpara se te njihja ty Lura dhe grupin tonë të kolegjit dhe vendosët të më quanit ‘Qime’, lista e nofkave ishte: pilivesë ose qorre. Të përdorura kryesisht nga familjarët tregon se si në Shqipëri është familja që të bën bullying nuk ke nevojë për shoqërinë ;).
11. Vizatimori yt i preferuar.
Sailor Moon si fëmijë, Family Guy si e rritur.
12. Cilin film mund ta shikosh pa fund dhe pse.
‘Across the Universe’ është filmi që shoh çdo vit dhe kolona zanore e të cilit është në listën time muzikore të zgjimit. Eshtë një film jo shumë impenjativ por energjik. Ana vizuale më pëlqen jashtë mase.
13. Në çfarë vendi e ke fiksim të shkosh dhe pse.
Udhëtimin e radhes dua ta bëj në Japoni në pranverë gjate lulëzimit të pemëve të qershisë.
14. Ah, Japanese Cherry Blossom… Mësuesi/ja më i çuditshëm që ke pasur, dhe pse?
Të gjithë mësuesit turq të kolegjit? U mungonte përgatitja akademike mbi psikologjinë e adoleshencës (si të gjithë mësuesve në gjimnazet shqiptare të asaj kohe besoj) Fakti që çuditeshin që një person mund të kishte të dashur, ose që një adoleshente është në fazë eksperimentale të jetës, tregonte që jetonin ne nje planet tjetër nga ai i imi. Shyqyr që kishim ato librat dhe mësonim vetë.
15. Larg planetit tim gjithashtu. Gjëja më e shtrenjtë që ke shkatërruar.
Unë gjërat e shtrenjta i humb, nuk i shkatërroj. Për këtë nuk do të më shohësh kurrë me sende me vlerë si ora ose bizhuteri. Në familje më kanë hequr të drejtën e të pasurit çelësa të shtëpisë, i dashuri më ndalon të marr çadra ose shaje nga gardaroba e tij. Dhe shpesh më ndjekin nga mbrapa sepse kam lënë çantën ose celularin në ndonjë tavolinë. Fatmirësisht bota ka shumë njerëz të drejtë dhe gjithmonë me janë kthyer celularët të paktën.
16. Ja të shohim a po harron sot ☺. Cili nga theksat e shqipes të pëlqen më shumë?
Mua më pëlqen jashte mase dialekti i Kosoves. Nuk i dalloj dot krahinat ama. Me pëlqen gjithashtu edhe theksi nga Shkodra.
17. Ca doje të bëheshe kur ishe e vogël?
Astronaute si të gjithë fëmijët. Misioni ishte të shkoja ne hapësirë. Tani po pres që Richard Branson ose Elon Musk ta realizojnë më në fund këtë ‘agjencinë turistike’ për në hapësirë.
18. Fëmijët që lindin sot, do rriten më mirë a më keq se ne?
Cdo fëmijë që lind sot lind 30 vet pas nesh, dhe vetëm të mendojmë sa arritje sociale kanë ndodhur ndërkohë. Ne jemi gjenerata Millenials, ata janë Gjenerata Z. Gjenerata jonë ka bërë dhe po bën ende luftëra sociale për të cilat fëmijët e sotshëm nuk do duhet të shqetësohen më. Nëse 30 vjet para lindjes sonë po luftonin akoma për të drejtat mbi divorcin, mos diskriminimin racial, fetar the seksual, ose mbi të drejtën e gruas mbi trupin e saj, sot ne po luftojmë mbi barazinë e plotë seksuale, të drejtat e kafshëve etj. Edhe kjo gjenerate do të këtë sfidat e saj, një e rëndësishme do të jetë mbrojtja e planetit dhe natyrës. Nuk është luftë e lehtë.
19. Cilin shqiptari të famshëm gjallë ose vdekur, që nuk ke takuar që ke shumë dëshirë ta takosh.
Erion Veliaj. Eshtë politikan i brezit tonë dhe do të doja shumë të dija se çfarë kompromisesh politike i është dashur të bëjë me brezin përpara që të realizojë sado pak vizionin e tij mbi Tiranën. Por kam frikë se politika shqiptare të korruption shumë shpirtin.
20. Barsaleta / shakaja jote e preferuar.
‘Donald Trump, president i Shteteve të Bashkuara te Amerikës’
Pak më lehtshëm:
Doktori – Më vjen keq, ke vetëm 10 të mbetura në jetë’
Pacienti – Cfarë?? Javë?!! Muaj???
Doktori – 9

Nuk është e/i ngadaltë. Vuan nga vizioni.

Ka qenë një periudhë që kjo fjalë pikërisht më ngrinte qimet përpjetë. E dëgjoja në lajme, e dëgjoja në kafe, në radio, në shtëpi. “Eshtë politikan me vizion”. “Vizioni ynë….” thoshin bizneset, duke e ngatërruar me misionin. Vizionar. Ka vizion ai. U hap dhe kanali televiziv me të njëjtin emër.
Fjala u fut në përdorim të përditshëm, mirëpo nuk e di ende a u përthith si duhet.

Duke anashkaluar faktin që një term kaq luksoz s’para përdoret për gjininë femërore, pasi mora mbidozë të kësaj fjale, u ndala të mendoj 2 gjëra: ç’do të thotë në të vërtetë, dhe pse ka kaq popullaritet kjo fjalë mes popullit tim?

(Marrë nga anglishtja, duke qenë se fjalori ynë ende jeton nën regjimin e Enver Hoxhës)
Vizion: aftësia për të planifikuar të ardhmen me imagjinatë e mençuri.
Ah, sa bukur! Sa mirë të ndërtojmë gjëra që kur të kthejmë kokën e t’i shohim pas 30 vjetësh, të themi, hej, e kam bërë unë. E kemi bërë ne. * E di ti që kur hymë ne këtu në fillim, s’kishte veç shkurre, plehra e të pastrehë? Sot është qendër kulturore ku vrapojnë të lumtur në diell qen, mace e fëmijë!

* E kam pasur në kokë gjithë adoleshencën time në Greqi se si do dukej bari im. Vuajta shumë, u mbyta në borxhe, desh hoqa dorë, po ja ku jam sot, po dal në pension, dhe vajza ime po e trashëgon këtë vend kaq të dashur për qytetarët!

Sa romantike, po.
Mirëpo kur u ula të numëroj gjithë aktet vizionare, që nga qytetari i thjeshtë që ka merituar epitetin e deri te kretë e shtetit, mund të them se përdorimi i fjalës ‘vizion’ rritej po aq shpejt sa binte numri i njerëzve realisht vizionarë. Ndërkohë që fjala përdoret vend e pa vend, ata që e kanë, përbuzen e nuk përkrahen
Na ishte një herë një vizion për Sheshin Skënderbej. U prish Sheshi Skënderbej. Ngeli gropë. Gropë. Gropë….. Ndenji ca muaj. U mbulua, u bë shumë i shëmtuar, “Linesi gjigant’ ndenji ca vite. U bë shesh modern, i inaguruar shtatanikisht. Më pëlqen gjithsesi, por akoma s’më bie shpirti në paqe që s’do hidhet në erë sërish dhe s’do ketë efekte anësore, sepse “arsye”.

U hap X bar. Ishte origjinal. Kish pije të mira, ushqim të mirë, muzikë të mirë, program të larmishëm. Mori emër, mori famë. Krijoi komunitetin e vet, u dha disa njerëzve një arsye për të dalë me qejf nga shtëpia dhe jo si dalja në punë ku shefi zakonisht shpërfill vizionin, ndër abuzimet e tjera.
Erdhi Aqif Kapërtoni, i ofroi menaxherit X lekë. Menaxheri e shiti, Aqifi e prishi komplet frymën, komuniteti ra, ndërsa të babziturit për lekë thanë “I lumtë menaxherit, zhyti 50 mijë Euro në xhep”. Asnjeri s’e vajtoi vizionin e varrosur para kohe.
Bari u mbyll pas 1 viti.
Të tjerat i dini vetë. Po kjo është historia e Tiranës, kjo është historia e Shqipërisë, e Kosovës e kudo që ka shqiptarë, që sa herë shkon me pushime në jug do kënaqësh në tjetër vend e do kujtosh me nostalgji ku kënaqeshe vjet, por u mbyll, sepse e vranë vizionin pa kapur pubertetin akoma.

Duke qenë se nuk jemi zogj po gjitarë, jemi të lidhur fort me gravitetin dhe me këmbët në tokë, nuk jam në gjendje të kuptoj kët ndjekje të verbër të suksesit afatshkurtër duke shpërfillur totalisht ndërtimin e të ardhmes me “imagjinatë e mençuri”. Se fundja, mendoje pak: për çfarë e do sasinë e madhe të lekëve? A nuk e do për të blerë një shtëpi, për të hapur një biznes, për të lënë një trashëgimi? Se nuk shoh dot asnjë përdorim tjetër të pasurisë së vërtetë, përvec se t’i vësh asaj themele që të duken km e vite larg.

Gjithashtu nuk kuptoj tjetrën: ne që ndenjëm e nuk emigruam, për çfarë ndenjëm, nëse jo për të hedhur rrënjë? Po ikni o njerëz të mirë, nëse nuk përballoni dot disa humbje sot për sot, por që kanë fryte madhore nesër për pasnesër! Shtegëtoni nga një dëng me lekë në tjetrin, deri sa të mos keni më fuqi!

Vizoni siç e shoh unë, është të kesh pjekurinë të kuptosh që gjërat afat gjatë duan origjinalitet, shumë, po shumë punë, nuk kanë rezultate të menjëherëshme dhe do të fusin në borxhe të shumë llojeve.
Por këto gjëra që morën shkas nga vizioni janë të vërteta, unike, dinë të mbrojnë veten, dhe të bëjnë ty krenar/e me breza të tërë.

Dhe popullariteti i kësaj fjale u rrit pikërisht sepse të gjithë dimë që na duhet, po e dimë që nuk e kemi.

Vizioni do këllqe dhe ngrihet mbi nevojat e tua të menjëherëshme.

Kujt ia mban?

 

Kujtova se u rrita. S’mbaroka kurrë!

E di që ka njerëz që depresionohen nga festat e fundvitit, por unë për vete i dua. Kënaqem kur dëgjoj “Last Christmas”, vazhdoj ha pa turp dhe pse e shoh nivelin e barkut që është ngritur, më pëlqen sesi ky popull familjar – por apatik – uron gëzuar në aeroport e në shkallë pallati, më pëlqen dritarja që pulson drita dekoruese në një pallat parafabrikat, dhe mbi të gjitha natyra laike e të gjithëve, dhe pse nuk e pranon njeri lehtë.

Madje dhe veten e gjejmë më lehtë në traditat e vogla perëndimore, siç janë ‘rezolutat’ e vitit të ri, që nuk janë tjetër veçse premtime si të përmirësojmë veten dhe jetën në vitin që vjen.

Më pëlqen për dy gjëra: e para është një farë vetë-reflektimi, me thënë të drejtën e rrallë për ne, që përgjithësisht jemi pothuaj të pa vetëdijshëm për unin.

E dyta tregon ambicje, që unë e respektoj.

Statistikisht 10% e premtimeve të bëra vetes më 1 janar mbahen, por po s’u bënë e s’u përfolën fare, ajo bie në 0%.

Janë ca premtime që po t’i bëjmë si shoqëri, ia zbukurojmë jetën vetes dhe njëri tjetrit. E në mungesë të një “bible” që të më mbushë mendjen, unë i nxora vetë ca, dhe këtu po listoj vetëm 4.

  1. Duaje vendin ku jeton. Po po, dhe mos me shih si UFO mua që e dua. Unë e dua me të vërtetë, dhe nuk e them as “për inat” të qyteteve të tjera, dhe as se mendoj që është qytet madhështor me histori, diversitet e kulturë që krahasohet me metropole europiane. Pf, larg asaj. E di fort mirë ç’është Tirana, dhe e dua pikërisht për atë që është dhe që po ia përjetoj metamorfozën çdo vit. Kjo mua m’i bën ditët më me ngjyra.
  2. Mos kopjo. As në profesion, as një shtëpi, as në paraqitje, as një krijimtari. Të lutem, mos vish dhe ti xhup të zi fësh-fësh vetëm pse e veshin nja 2 vip-a, mos e vidh lokalin identik siç e ke parë jashtë, mos vidh pozat dhe diçiturat fotografive, mos vidh zbukurimin e pemës. Frymëzohu – po, është mëse njerëzore. Të gjithë frymëzohemi dhe është e kotë të shesim të kundërtën. Ama kopja identike s’tregon veçse papjekuri, dhe pasiguri që je e/i mirë sa duhet të na japësh diçka nga vetja jote. Të gjithë kanë për të dhënë nga vetja diçka origjinale, kjo është e bukura e çdo qënie të gjallë.
  3. Thuaj “jo” më shpesh. Një ndër gjërat që e bëjnë këtë vend të çalojë më së shumti është ideja e turpit për të thënë jo. “Po, po patjetër” është përgjigje stanarde këtu. Duke thënë “po” të gjithë, japim udhëzime të gabuara kur na pyesin në rrugë se nuk dimë të ndihmojmë, premtojmë që do i bëjmë punën falas një të njohuri dhe pastaj s’ngremë telefonin, premtojmë që do bëjmë X punë brenda një date edhe pse e dimë që nuk mundemi dhe data ikën si hiç gjë, premtojmë që do dalim kur s’kemi fuqi, dhe që do ndihmojmë kur thjesht s’kemi mundësi. “Jo” është pjekuri.
  4. Mos u dekurajo. Në një film parodik amerikan, njëri duke bërë parodi të fjalimit të famshëm të Martin Luter Kingu-t tha: “Kam një ëndërr.” “Çfarë?” “Që të kem një ëndërr.”
    E nëse ti e ke tashmë, je më e/i pasur se ç’e mendon. Nëse është thjesht të humbësh peshë apo të bëhesh superstar, mos u dekurajo kurrë nga askush, as nga njerëzit që do, nëse sheh që nuk po të mbështesin. Pyet 100 vetë e bëj si di vetë.

    Duke shpresuar shumë që ky të jetë një vit domethënës për shoqërinë tonë në tërësi, universi ju urdhëron t’i riktheheni sallatës ruse dhe bakllavasë (edhe në të njëjtën kohë po s’pa njeri!!)

Letra që na duhej të gjithëve.

Duke u nisur nga përvoja vetjake, fakti që u bëra prind pasi kisha kaluar tre dhjetëvjeçarë jetë, ka qenë gjë e mirë.

Në moshën 21 vjeçare jetoja me kushërirën time në SHBA dhe kur ajo u bë prind për herë të parë, ia pashë lodhjen, dehidrimin, qeskat rreth syve, u çova natën bashkë me të sa e sa herë.

Kisha parë plot miq të afërt të bëheshin prindër para meje. Ua ndjeva shokimin e ndryshimit, pagjumësinë, dashurinë gjithëpërfshirëse që shumë i tjetërsoi si njerëz. Pashë time motër të bëhej nënë; ndjeva dashuri që s’e dija që ekzistonte, u bëra e bezdisshme me historira tezesh, kalova ditë e orë në dyqane bebesh.
Ndërkohë isha pjesë e debatit absurd të vaksinave, kisha lexuar plot artikuj mbi psikologjinë dhe rritjen e fëmijëve, e dija që edukata pa ekzagjerim fillon në bark… Dhe gjithë të mirat dhe të këqijat merren në fëmijërinë e hershme. Kisha plot kohë të meditoja problematikat e brezit tim dhe çfarë na ndodhi gjatë rritjes; kisha diskutuar fëmijërinë time me psikologen; dhe madje dhe analizoja e gjykoja si po rrisin të tjerët fëmijët e tyre.
Dhe kur u bëmë prindër, nuk na u shkundën themelet. Përjetuam çka prisnim, na u desh pak kohë të balanconim jetën personale / profesionale me kujdestarinë ndaj qënies sonë të vogël, dhe ja. 24 orë në ditë janë mjaftueshëm.

Por tani që po bëhen 14 muaj me shtëpinë mbushur me dashuri të re i cili kupton çdo orë e më shumë e ka kërkesa tërësisht të paparashikuara, tani unë si pa dashje apo me dashje, jam shumë më e zënë, kam vizione më të thella, po mundohem të ndërtoj diçka me themel të fortë për vete e për të… Fluturoj nga takimi në takim, nga argëtim pune në argëtim vetiak, nga fatura në faturë… Ndërkohë duke luftuar të kaloj kohë cilësore me të. Një balancim që çdo i rritur familjar e di dhe e kupton, secili me stilin e vet të jetesës.
Por nuk e kupton një i rritur jo prind, sado inteligjent e kurioz të jetë. Sepse bashkë me prindërimin, çdo ditë shndërrohet në betejë që ka fare pak të bëjë me ndërrimin e pelenave dhe ushqimin.

Ka shumë të bëjë me kush je ti dhe ç’do të bësh me ekzistencën tënde, për të cilën ftillohesh plotësisht vetëm kur sheh jetën e re që ke marrë përsipër.

Ndaj i dashur bir,
Dije që u interesova që para se të vije se si të të jap maksimumin e rehatisë dhe dashurisë. U interesova si mos të të rris të llastuar, seksist (shpresoj që ti as do e dish pse dikur ka pasur pabarazi gjinore!), mos të jesh racist dhe asgjë e shëmtuar e trashëguar nga Mesjeta, të respektosh në thelb njeriun, mos të paragjykosh, të shohësh të mirën para të keqes, të kuptosh që veprimet e tua kanë pasoja, që mami nuk është gomar me samar në shërbim të familjes, që jetën tënde e ke vetë në dorë, që lumturia nuk është qellim po është përditshmëri, mos të tolerosh kur njerëzit të hipin në qafë e të bëhen prezencë toksike në jetë, që nuk ka “instant gratification” (plotësim i menjëhershëm i kërkesave dhe kënaqësive) por duhet punë për çdo gjë që ti ke nevojë, të jesh gjithmonë i etur për të vërtetën e të mbledhësh fakte pa fund për çdo pyetje që ke, mos të marrësh të mirëqenë askënd, askush mos të të marrë ty të mirëqenë, të pranosh gëzimin e hidhërimin me dinjitet, të mos krijosh varësi në asgjë e askënd, e të duash artin. Lista e gjërave që unë i konsideroj të mira për ty është shumë e gjatë.
Por i dashur bir, unë kam sytë në telefon kur ti këndon sepse mirëqenia ime dhe e jona varet shumë nga ai, po edhe sepse unë jam plot difekte. Nuk jam 100% e përqëndruar të zbërthej kërkesat e tua sepse nesër më pret beteja e 200 karriero-shqiptare që nuk e di si do e mbyll. Ti më buzëqesh, unë ta kthej, po mendjen e kam gjetkë sepse s’mbaj mend sa kam pa paguar energjinë, e kam frikë mos na e presin në këto ditë acari. Ti më thua diçka në gjuhën tënde, unë ta kthej në timen, ndërkohë e kam mendjen te macja që ka 2 ditë që tështin. Ti ke mësuar lojë të re me buzët, unë të puth, por kam shqetësimin e projektit gjigant që më pret vitin tjetër.

Kështu që të kërkoj falje që tani, nëse gjatë rritjes do të shkaktoj ndonjë traumë me karakterin tim apo rutinën time, që më pas do të ndikojë në karakterin tënd. U përpoqa, po magjia e kësaj jete është që askush dhe asgjë nuk është perfekt. Të kërkoj falje që nuk i pata sytë në vend, atëherë kur ti pate një nevojë specifike nga unë, dhe unë nuk e kuptova.
Të kërkoj falje për çdo keqkuptim dhe që ti më mbajte mëri.
Më ndje nëse kur të jesh 22 vjeç do kesh një histori për të treguar te psikologu që përfshin mua jo me patjetër pozitivisht.
Nuk kanë ndodhur ende, por e di që do ndodhin.
Patjetër që do të lëndoj ndonjë herë teksa rritesh, dhe pse me dijen time po bëj maksimumin.

E vetmja gjë që mund të them, është që jam e vetëdijshme që është një rrugë e vështirë, dhe përgjegjësinë kryesore e kam unë dhe babai yt, sepse ne të sollëm në jetë, dhe ne po të gdhendim.

Dije që krahas dashurisë pa kushte, ka dhe punë të vërtetë që ti të rritesh i qetë, konfident, me sa më pak trauma e sa më shumë kujtime të bukura.
Të dua sa qeliza dhe gjithë universi.

*****
Mos e fut në gojë atëë!!! KAK!!!!!!!

Kokë më kokë me Zini Dreqon.

Ora 19.30. Fillon edicioni i lajmeve. Njësoj si ne jemi rritur me zërin e Dhimitër Gjokës apo Virgjil Kules, fëmijët sot po rriten me zërin qetësues të Drinit, që çfarëdo lajmi të jetë duke na kumbuar, nuk e bën të tingëllojë aq tragjik. Dhe ndryshe prej asaj kohe, sot kemi mundësi t’i ndjekim personazhet publikë të preferuar dhe çfarë stili jetese kanë: si e kalojnë ditën, ku hanë, ku dalin, me kë rrinë…
Po ka gjithmonë për të gërmuar. Edhe Drinin e lag ndonjë makinë në ditë me shi, dhe atij i fiksohet ndonjë melodi në kokë gjithë ditën. E më the të thashë.
Ndaj unë i ndava disa pyetje me kushtin që të më përgjigjej sinqerisht, dhe si një gjerman i përpiktë që është përkundër botës sonë, ashtu veproi.

 Çfarë ta dha buzëqeshjen e parë sot?

Çdo ditë ka një motiv të veçantë që më bën të buzëqesh. Mund të jetë një mendim i bukur apo ngjarje reale. Sidoqoftë, buzëqeshja vjen pas kafesë së parë.

Gjëja e pare që bën sa shkon në shtëpi?

Një dush. Por edhe ushqimi, po e konkurroi.

A ka ndonjë gjë që të gjithë vdesin, por ty s’të ekzalton?

Hmm… Meqë jemi në festa, kjo puna e pemës. Nuk e di, sikur përtoj dhe më duket pak cliché. Ka plot mënyra të tjera për të zbukuruar ambientet!

Nëse do të duhej të jetoje vetëm me 2 lloje ushqimesh, cilat do të ishin?

E lehtë. Markarona dhe peshk.

A të ka kapur ndonjëherë e qeshura pa kontroll në moment aspak të përshtatshëm? Trego.

Patjetër që po. Më ka kapur në disa vende në fakt. Një rast shumë i sikletshëm ka qenë kur kishim shkuar per vizitë te një mikeshë që po kalonte një fatkeqësi. Ç’të tregoj, na kapi disa vetave me një batutë kot. Kur të zë e qeshura në grup, është e pamundur të përmbahesh.

Një gjë që ke qejf ta provosh po s’ta mban.

Të hidhem nga avioni me parashutë.

Tri gjërat që të pëlqejnë më së shumti në këtë qytet.

Më pëlqen që po jetoj aty ku u linda dhe u rrita, jo shumë mund ta thonë këtë.

Më pëlqen që kam qenë prezent në evolucionin e zonës së Bllokut, dhe është një zonë që e dua shumë ende.

Adhuroj punën time, dhe jam i vetëdijshëm që do e kisha të vështirë ta bëja diku tjeter.

Cilësia jote më e mirë dhe cilësia jote më e keqe.

Mund të duket e habitshme, por është e njëjta cilësi për të dyja.

Jam tip i drejtpërdrejtë.

Kënga jote e preferuar e viteve 90’.
Moby- Porcelain

Po e këndoj në kokë tani. Ke pasur ndonjëherë ndonjë nofkë në çfarëdo pike të jetës?

Po dhe e kam akoma! Zini Dreqo. Një lojë fjalësh e vendosur nga një koleg para shumë vitesh.

Vizatimori yt i preferuar.
Ka qenë një film për femije me një familje elefantësh. Babar.

Cilin film mund ta shikosh pa fund dhe pse.

Filma romatikë, për shkak të natyrës që kam. Por dhe “Tomka dhe shokët e tij”! Hë-hë.

Në çfarë vendi e ke fiksim të shkosh dhe pse.

Në Afrikë, te zanafilla. Do ishte fantastike të shihja një tjetër formë të jetës dhe qytetërimeve apo fiseve në zhdukje.

 Mësuesi/ja më i çuditshëm që ke pasur, dhe pse?

Ç‘më kujtove. Një profesor i gjermanishtes në shkollë të mesme. Ishte shumë serioz dhe po dhe kishte humor të paparë në të njëjtën kohë. Ishte beqar dhe mbaj mend qe vajzat e klasës e ngcmonin shumë për këtë fakt.

Cili nga theksat e shqipes të pëlqen më shumë?
Më pëlqen gegnishtja shumë.

Çfarë doje të bëheshe kur ishe i vogël?

Thjesht doja të bëhesha dhe e dija që kjo do të ndodhte. Besoja se do të bëja diçka ndryshe dhe Drinit të atëhershëm i them se ia dola.

Fëmijët që lindin sot, do rriten më mirë a më keq se ne?

Më mirë. Kanë më shumë informacion dhe aftësi për ta menaxhuar atë. Dhe më e rëndësishmja: kanë mundësi të gjejnë veten dhe talentin e tyre. Janë pa komplekse dhe kanë para vetes një botë që ne nuk e kishim.

Cilin shqiptar të famshëm  gjallë ose vdekur, që nuk ke takuar që ke shumë dëshirë ta takosh?

Pyetje shumë e bukur. Të madhin Skënderbe.

Barsaleta / shakaja jote e preferuar.

I ndërroj dhe për momentin nuk kam një të tille. Por më pëlqen të luaj me batutat që konsumohen në shoqëri me aktualitetin e këtij vendi, i cili di të jetë qesharak.

Hajt tani të mendohemi për kuptimin e jetës.