Dashuri në kohërat e e përgjegjësive.

Imazhi nga Nick Fewings

Përshëndetje miqesha dhe miq që po lexoni! Meqë shumë nga ju më keni pyetur vazhdimisht “cila është make-up rutina jote”, unë po vazhdoj m…

  • Jo Lura, ansjeri s’të ka pyetur. As ty, askënd.
  • Po thashë se kam blerë këtë buzk…
  • Jo. Askujt s’i plas.

Unë desha t’ju tregoj si ngjyej gishtat dhe asnjëherë s’i bëj dy sy njësoj po s’dashkeni.

Sido që të jetë unë e kam këndin e makeup-it se ndër të tjera më pëlqen drama.  Dhe qëllon shpesh që i dashuri im, dmth bashkëshorti im, duhet të presë.

Po ai nuk mërzitet. Të paktën nuk ma thotë. Madje, e ndjen apo s’e ndjen, më thotë gjithmonë “dukesh shumë bukur” dhe pse njëri sy imi mund të duket sikur jam përplasur te kanatet që i lë vetë hapur.

Unë ia them më rrallë. Sepse ashtu, veshur me role gjinore dhe unë, harroj që të gjithë kanë nevojë për komplimente. Mbase ai nuk tenton penel, por ndihet mirë sot, ka një prerje flokësh fantastike, ka humbur peshën sezonale të bakllavasë apo i shkëlqen lëkura. Pse mos t’i them që po rrezaton sot?

Vazhdojmë secili ditën me shkëmbime whatsapp të tipit “nuk ka borzilok” “cili ishte borziloku?” “Ai që i vjen era borzilok, dhe ti!” e pastaj me “E pagove kopshtin? Do e marrësh ti apo unë?” e pastaj me borën që ka ngecur te cepi i tendës dhe që unë nuk e arrij dot.

Shtrihemi.

“Si ishte dita jote?”

Tashmë jemi me sytë e perënduar. Ia tregoj shkurt, e pyes dhe unë, dhe të dy e tregojmë me gjysmën e entuziasmit si po t’i kishim kushtuar një bisedë të vërtetë apo një telefonatë të plotë këtij fakti, atëherë kur dita nuk na e kishte pirë lëngun.

Ka plot nga këto momente që rutina na i kap për fyti dhe ne nuk luftojmë për t’i marrë. Dhe në fund të fundit, edhe shumë faj nuk kemi.

Nëse je midis moshës 25-45, je në procesin e arritjes së kulmin e të jetuarit. Dhe nuk e kam fjalën te kulmi i qejfit, jo. Ai është pezull, hë për hë. Kulmi i “multi-tasking”, kulmi i faturave, i ambicieve, i ëndrrave që i ke shtyrë sa i ke shtyrë, dhe po kupton që po i le përtej kësaj pike, do dalësh me më shumë humbje se po të merresh tani.

Plus është dhe ajo dukuria që detyrimet e objektivat i arrin më mirë kur ke shumë për një herë, sesa një të vetme.

Gjithë ato objektiva për t’u arritur paralelisht, e kush ka, edhe fëmijë për të rritur…  (Si e thashë këtë të fundit, si të ishte më e lehta!) Dhe në këtë ecje me hap të shpejtë, mendoj se penalizohet, pa të drejtë, lumturia e përditshme e gjendur në gjeste të vogla, që hapi i shpejtë t’i bllokon.

Fjalë, dhe kohë e kaluar në frekuencë të pastër, pa ndërhyrje.

Me dashurinë tënde.

Me njerëzit specialë, që tashmë merremi vesh me meme.

Me macen, që dikur i kushtoja orë në gjoksin tim.

~ Le të gjendet koha për dashuri. ~

Leave a comment