Thirrje për tregime #5, Vlorë: Ishin kohë të trishta, e di?

Kujtim nga Alma Sinan Feruni

 

Ishin kohë të trishta, e di?

Vërtetë ishte koha kur studentët u ngujuan tek ambientet e universitetit në Skelë buzë bregdetit jonian. Ishin netë e ditë shkurti prej një dimri të plotfuqishëm. Djem e vajza me dëshirën për liri, edhe pse nuk e dinin plotësisht çfarë ishte ajo. Ishte koha kur flitej për çeqe të bardha e për tryeza ku gjithsecili mund të hante me “lugë të florinjtë”.

Ishte dhe koha e dallavereve të mëdha. E nuk ka gjë më të tmerrshme kur dikush tallet me ëndrrën e gjithkujt.

Ajrit dëgjohej klithma e pulëbardhave te vrara. Firmat piramidale kishin zhvatur jo para, po sa jetë! Prindër që kishin shitur shtëpitë, dyqanet… për të grumbulluar lekë. Po sa lekë? Aq sa të mund të shkollonin fëmijët, te bëheshin arkitektë, doktorë e profesorë. E thuhet se në jetë ëndrrat paguhen shtrenjtë. Legjenda vazhdonte… Toka të shitura e të grabitur. Jeta, më e çmuara, po shkonte për dreq. Lumi i Gjallicës nuk do të mblidhte mbi vete më shumë mallikime, inate mbi fatin e mbrapshtë që u solli kaq e aq familjeve sa atë kohë.

Çdo mbrëmje, turma njerëzish me qirinj nëpër duar ecnin në një frymë më flakëzën e qirinjve në sy përgjatë Skelës.

-Pak dritëzë o shok, o mik, o vëlla.

Marshimi ndalej pikërisht te universiteti ku po vetëflijoheshin të rinjtë. Nëna vlonjate shamibardha, vajza, motra e nuse të reja me femijët shtrënguar fort pas vetes… Deri sa një natë krismat çanë tejpertej terrin. U rrëmbyen armë, u dogjën godina, në kërkim të kthimit të kursimeve, mundit e djersës grabitur nga përfituesit grabitqarë. Luftës civile filloi t’i vinte era. Urdhri i komandantit të përgjithshëm do të mobilizonte ushtarakët. Ama për veten e tij u fsheh, nga frika e zemërimit popullor.

U ngujuan te gjithë: nga foshnjat te pleqtë. Portat e pallateve u bënë të hekurta papritur. Pranvera kishte ardhur e trishtë nën hije bajonetash. Buka në vatër nuk ishte e sigurtë. Pranverën e zëvendësoi ankthi. Natën yjet qëlloheshin me plumba, pasi tashmë kushdo e kish siguruar një armë. Muret e shtëpive ishin shndërruar në llogore lufte, ndërsa qyteti i kaltërt bregdetar, tashmë ishte gri.

Po sulmohej qyteti. Po nga kush? Të tërë jemi shqiptarë, njihemi… Ku ishte parë të vritej vëllai me vella!

-Nëno pak ujë, të lutem pak ujë dua – një djalosh dërguar nga hije të mistershme jete, me theksin ndoshta nga vise ku bora arrin gjer në gju. Nëna zemërbardhë e futi në shtëpi. Të mund t’i japë pak bukë, e të pushojë pak. Ta mbajë në besë. Jemi të gjithë shqiptarë! Dhe e mban fshehur, që të mos vriten shoqi me shoq.

Fryma mbahej peng… Derisa një ditë nga ditët mbi tarraca pallatesh shkrepëtinë armë. Sa shumë armë! Vlora ia kish dalë të largonte gjarprin. Për disa gjarpri ende hiqet zvarre nën gurje e shkëmbinj duke lëshuar helm. E ç`rëndesi ka! Shqiponjat fluturojnë qiellit përherë.

Njëqind e tetëdhjetë ditë të trishta përjetuar brenda mureve te akullta të shtëpive me xhama të thyer e me kanata dritaresh të shqyera.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: