Nuk është e/i ngadaltë. Vuan nga vizioni.

Ka qenë një periudhë që kjo fjalë pikërisht më ngrinte qimet përpjetë. E dëgjoja në lajme, e dëgjoja në kafe, në radio, në shtëpi. “Eshtë politikan me vizion”. “Vizioni ynë….” thoshin bizneset, duke e ngatërruar me misionin. Vizionar. Ka vizion ai. U hap dhe kanali televiziv me të njëjtin emër.
Fjala u fut në përdorim të përditshëm, mirëpo nuk e di ende a u përthith si duhet.

Duke anashkaluar faktin që një term kaq luksoz s’para përdoret për gjininë femërore, pasi mora mbidozë të kësaj fjale, u ndala të mendoj 2 gjëra: ç’do të thotë në të vërtetë, dhe pse ka kaq popullaritet kjo fjalë mes popullit tim?

(Marrë nga anglishtja, duke qenë se fjalori ynë ende jeton nën regjimin e Enver Hoxhës)
Vizion: aftësia për të planifikuar të ardhmen me imagjinatë e mençuri.
Ah, sa bukur! Sa mirë të ndërtojmë gjëra që kur të kthejmë kokën e t’i shohim pas 30 vjetësh, të themi, hej, e kam bërë unë. E kemi bërë ne. * E di ti që kur hymë ne këtu në fillim, s’kishte veç shkurre, plehra e të pastrehë? Sot është qendër kulturore ku vrapojnë të lumtur në diell qen, mace e fëmijë!

* E kam pasur në kokë gjithë adoleshencën time në Greqi se si do dukej bari im. Vuajta shumë, u mbyta në borxhe, desh hoqa dorë, po ja ku jam sot, po dal në pension, dhe vajza ime po e trashëgon këtë vend kaq të dashur për qytetarët!

Sa romantike, po.
Mirëpo kur u ula të numëroj gjithë aktet vizionare, që nga qytetari i thjeshtë që ka merituar epitetin e deri te kretë e shtetit, mund të them se përdorimi i fjalës ‘vizion’ rritej po aq shpejt sa binte numri i njerëzve realisht vizionarë. Ndërkohë që fjala përdoret vend e pa vend, ata që e kanë, përbuzen e nuk përkrahen
Na ishte një herë një vizion për Sheshin Skënderbej. U prish Sheshi Skënderbej. Ngeli gropë. Gropë. Gropë….. Ndenji ca muaj. U mbulua, u bë shumë i shëmtuar, “Linesi gjigant’ ndenji ca vite. U bë shesh modern, i inaguruar shtatanikisht. Më pëlqen gjithsesi, por akoma s’më bie shpirti në paqe që s’do hidhet në erë sërish dhe s’do ketë efekte anësore, sepse “arsye”.

U hap X bar. Ishte origjinal. Kish pije të mira, ushqim të mirë, muzikë të mirë, program të larmishëm. Mori emër, mori famë. Krijoi komunitetin e vet, u dha disa njerëzve një arsye për të dalë me qejf nga shtëpia dhe jo si dalja në punë ku shefi zakonisht shpërfill vizionin, ndër abuzimet e tjera.
Erdhi Aqif Kapërtoni, i ofroi menaxherit X lekë. Menaxheri e shiti, Aqifi e prishi komplet frymën, komuniteti ra, ndërsa të babziturit për lekë thanë “I lumtë menaxherit, zhyti 50 mijë Euro në xhep”. Asnjeri s’e vajtoi vizionin e varrosur para kohe.
Bari u mbyll pas 1 viti.
Të tjerat i dini vetë. Po kjo është historia e Tiranës, kjo është historia e Shqipërisë, e Kosovës e kudo që ka shqiptarë, që sa herë shkon me pushime në jug do kënaqësh në tjetër vend e do kujtosh me nostalgji ku kënaqeshe vjet, por u mbyll, sepse e vranë vizionin pa kapur pubertetin akoma.

Duke qenë se nuk jemi zogj po gjitarë, jemi të lidhur fort me gravitetin dhe me këmbët në tokë, nuk jam në gjendje të kuptoj kët ndjekje të verbër të suksesit afatshkurtër duke shpërfillur totalisht ndërtimin e të ardhmes me “imagjinatë e mençuri”. Se fundja, mendoje pak: për çfarë e do sasinë e madhe të lekëve? A nuk e do për të blerë një shtëpi, për të hapur një biznes, për të lënë një trashëgimi? Se nuk shoh dot asnjë përdorim tjetër të pasurisë së vërtetë, përvec se t’i vësh asaj themele që të duken km e vite larg.

Gjithashtu nuk kuptoj tjetrën: ne që ndenjëm e nuk emigruam, për çfarë ndenjëm, nëse jo për të hedhur rrënjë? Po ikni o njerëz të mirë, nëse nuk përballoni dot disa humbje sot për sot, por që kanë fryte madhore nesër për pasnesër! Shtegëtoni nga një dëng me lekë në tjetrin, deri sa të mos keni më fuqi!

Vizoni siç e shoh unë, është të kesh pjekurinë të kuptosh që gjërat afat gjatë duan origjinalitet, shumë, po shumë punë, nuk kanë rezultate të menjëherëshme dhe do të fusin në borxhe të shumë llojeve.
Por këto gjëra që morën shkas nga vizioni janë të vërteta, unike, dinë të mbrojnë veten, dhe të bëjnë ty krenar/e me breza të tërë.

Dhe popullariteti i kësaj fjale u rrit pikërisht sepse të gjithë dimë që na duhet, po e dimë që nuk e kemi.

Vizioni do këllqe dhe ngrihet mbi nevojat e tua të menjëherëshme.

Kujt ia mban?

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s