Letra që na duhej të gjithëve.

Duke u nisur nga përvoja vetjake, fakti që u bëra prind pasi kisha kaluar tre dhjetëvjeçarë jetë, ka qenë gjë e mirë.

Në moshën 21 vjeçare jetoja me kushërirën time në SHBA dhe kur ajo u bë prind për herë të parë, ia pashë lodhjen, dehidrimin, qeskat rreth syve, u çova natën bashkë me të sa e sa herë.

Kisha parë plot miq të afërt të bëheshin prindër para meje. Ua ndjeva shokimin e ndryshimit, pagjumësinë, dashurinë gjithëpërfshirëse që shumë i tjetërsoi si njerëz. Pashë time motër të bëhej nënë; ndjeva dashuri që s’e dija që ekzistonte, u bëra e bezdisshme me historira tezesh, kalova ditë e orë në dyqane bebesh.
Ndërkohë isha pjesë e debatit absurd të vaksinave, kisha lexuar plot artikuj mbi psikologjinë dhe rritjen e fëmijëve, e dija që edukata pa ekzagjerim fillon në bark… Dhe gjithë të mirat dhe të këqijat merren në fëmijërinë e hershme. Kisha plot kohë të meditoja problematikat e brezit tim dhe çfarë na ndodhi gjatë rritjes; kisha diskutuar fëmijërinë time me psikologen; dhe madje dhe analizoja e gjykoja si po rrisin të tjerët fëmijët e tyre.
Dhe kur u bëmë prindër, nuk na u shkundën themelet. Përjetuam çka prisnim, na u desh pak kohë të balanconim jetën personale / profesionale me kujdestarinë ndaj qënies sonë të vogël, dhe ja. 24 orë në ditë janë mjaftueshëm.

Por tani që po bëhen 14 muaj me shtëpinë mbushur me dashuri të re i cili kupton çdo orë e më shumë e ka kërkesa tërësisht të paparashikuara, tani unë si pa dashje apo me dashje, jam shumë më e zënë, kam vizione më të thella, po mundohem të ndërtoj diçka me themel të fortë për vete e për të… Fluturoj nga takimi në takim, nga argëtim pune në argëtim vetiak, nga fatura në faturë… Ndërkohë duke luftuar të kaloj kohë cilësore me të. Një balancim që çdo i rritur familjar e di dhe e kupton, secili me stilin e vet të jetesës.
Por nuk e kupton një i rritur jo prind, sado inteligjent e kurioz të jetë. Sepse bashkë me prindërimin, çdo ditë shndërrohet në betejë që ka fare pak të bëjë me ndërrimin e pelenave dhe ushqimin.

Ka shumë të bëjë me kush je ti dhe ç’do të bësh me ekzistencën tënde, për të cilën ftillohesh plotësisht vetëm kur sheh jetën e re që ke marrë përsipër.

Ndaj i dashur bir,
Dije që u interesova që para se të vije se si të të jap maksimumin e rehatisë dhe dashurisë. U interesova si mos të të rris të llastuar, seksist (shpresoj që ti as do e dish pse dikur ka pasur pabarazi gjinore!), mos të jesh racist dhe asgjë e shëmtuar e trashëguar nga Mesjeta, të respektosh në thelb njeriun, mos të paragjykosh, të shohësh të mirën para të keqes, të kuptosh që veprimet e tua kanë pasoja, që mami nuk është gomar me samar në shërbim të familjes, që jetën tënde e ke vetë në dorë, që lumturia nuk është qellim po është përditshmëri, mos të tolerosh kur njerëzit të hipin në qafë e të bëhen prezencë toksike në jetë, që nuk ka “instant gratification” (plotësim i menjëhershëm i kërkesave dhe kënaqësive) por duhet punë për çdo gjë që ti ke nevojë, të jesh gjithmonë i etur për të vërtetën e të mbledhësh fakte pa fund për çdo pyetje që ke, mos të marrësh të mirëqenë askënd, askush mos të të marrë ty të mirëqenë, të pranosh gëzimin e hidhërimin me dinjitet, të mos krijosh varësi në asgjë e askënd, e të duash artin. Lista e gjërave që unë i konsideroj të mira për ty është shumë e gjatë.
Por i dashur bir, unë kam sytë në telefon kur ti këndon sepse mirëqenia ime dhe e jona varet shumë nga ai, po edhe sepse unë jam plot difekte. Nuk jam 100% e përqëndruar të zbërthej kërkesat e tua sepse nesër më pret beteja e 200 karriero-shqiptare që nuk e di si do e mbyll. Ti më buzëqesh, unë ta kthej, po mendjen e kam gjetkë sepse s’mbaj mend sa kam pa paguar energjinë, e kam frikë mos na e presin në këto ditë acari. Ti më thua diçka në gjuhën tënde, unë ta kthej në timen, ndërkohë e kam mendjen te macja që ka 2 ditë që tështin. Ti ke mësuar lojë të re me buzët, unë të puth, por kam shqetësimin e projektit gjigant që më pret vitin tjetër.

Kështu që të kërkoj falje që tani, nëse gjatë rritjes do të shkaktoj ndonjë traumë me karakterin tim apo rutinën time, që më pas do të ndikojë në karakterin tënd. U përpoqa, po magjia e kësaj jete është që askush dhe asgjë nuk është perfekt. Të kërkoj falje që nuk i pata sytë në vend, atëherë kur ti pate një nevojë specifike nga unë, dhe unë nuk e kuptova.
Të kërkoj falje për çdo keqkuptim dhe që ti më mbajte mëri.
Më ndje nëse kur të jesh 22 vjeç do kesh një histori për të treguar te psikologu që përfshin mua jo me patjetër pozitivisht.
Nuk kanë ndodhur ende, por e di që do ndodhin.
Patjetër që do të lëndoj ndonjë herë teksa rritesh, dhe pse me dijen time po bëj maksimumin.

E vetmja gjë që mund të them, është që jam e vetëdijshme që është një rrugë e vështirë, dhe përgjegjësinë kryesore e kam unë dhe babai yt, sepse ne të sollëm në jetë, dhe ne po të gdhendim.

Dije që krahas dashurisë pa kushte, ka dhe punë të vërtetë që ti të rritesh i qetë, konfident, me sa më pak trauma e sa më shumë kujtime të bukura.
Të dua sa qeliza dhe gjithë universi.

*****
Mos e fut në gojë atëë!!! KAK!!!!!!!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s