Ku bishti?

Gjuha shqipe sa e mirë, sa e ëmbël sa e dlirë… Ok mund të themi aq shumë për gjuhën shqipe, unë do thoja përveç se e bukur, është e ndërlikuar, e çuditshme për veshin e huaj dhe e vetmja në botë.
Kam kuptuar që ashtu janë dhe shumë prej shprehjeve që rrjedhin prej saj. Edhe njerëzit që rrjedhin këtyre prej shprehjeve, po nuk po i hyj një analize kaq të thellë për momentin, thjesht po merrem me të preferuat e mia që janë ekuacione të pazgjidhura që në fëmijërinë e hershme, qoftë prej mungesës së kuptimit, qoftë prej efektit vizual qesharak.

Sa më thellë në krahina të futesh, aq më gjëra absurde dëgjon. Por vendosa të merrem me këto të përditshmërisë që janë të përhapura kudo, me të cilat veshi na është mësuar aq shumë, saqë as nuk ndalemi t’i analizojmë.

Fillojmë pak me bashkimin e shenjtë, martesën.
“Burrë e grua, mish e thua!” Mirë që unë qenkam bashkësi qelizash të vdekura në funksion të vetëmbrojtjes si mbeturinë evolucionare nga kohët kur kemi pasur kthetra të mirëfillta, po pse kjo analogji? Po e thyeve këtë marrëdhënie të shenjtë, duhet shkulur thoi, një mënyrë torture e preferuar e mesjetarëve.
Mund të ndalem 4 faqe mbi këtë ‘mishërim’, po nuk po më duket që ia vlen të vazhdoj. Si copywriter mendoj që ka ngjizur vetëm pse bën rimë, po nuk mjafton. Sloganat që kanë rimë por që nuk kanë kuptim (uaaa prapë me rimë! J) nuk janë slogane jetëgjatë. Diçka duhet të ngjizë.

“Bota është me rrota”. Prapë rimë. Ndryshe nga ajo më sipër, kjo ka një farë kuptimi, në terma më modern është karma që i vendos gjërat në vendin që ishin në fillim.
Po imagjinoni pak globin tonë me rrota. Globi është rrumbullak (mos dëgjoni çfarë thonë këta të mençurit Tokës së Rrafshët). Si i ka rrotat? Ka ndonjë strukturë që sfera të qëndrrojë në katër rrota?
Apo 2 rrota?

Apo rrota si të biçikletave të fëmijëve?

U kënaqa.

“Dardha e ka bishtin prapa”. Eh? Lart e ka, e kemi parë të gjithë! Dje hëngra një dardhë, e pashë prapë! Dhe pse kemi zgjedhur dardhën për simbol të skuthërisë, është përtej botëkuptimit tim.

“Ku ka zë, s’është pa gjë.” Ah të keqen, duke fabrikuar ‘fake news’ që kur flasim shqip. Po po, ku ka zë, është totalisht pa gjë. Po, një ditë të bukur një ndrikulle iu tek të të diskretitojë për arsye që i di ajo apo ai (mos më thoni s’ka burra ndrikulla) dhe thjesht filloi të shpifë për ty, fantazia pa kolaudim vjetor del në rrugë pa kontroll, dhe ja, ta vunë zërin pa pikën e përmbajtjes. Kur kam qenë në kolegjin turk, iu tek një kujdestareje që jam lesbike se shoqja ime e ngushtë më bënte masazh (prapë kam shoqe që më bën masazh, dhe në publik!) dhe mori time më në telefon edhe u ngrit çështje kot.
Mos legjitimoni shpifjet. Qëndroni të mprehtë të dalloni të vërtetën.

“Ai që të rreh të do”. Vazhdojmë pak me këto legjitmimet e Mesjetës? Po mirë mo, zor s’na vjen? Kaq e rëndësishme qënka të ruhet institucioni i dhunës familjare? Mirë që po e ruajmë më çdo kusht, por po promovojmë sadizmin dhe mazokizmin tani? Sadisti ai që e jep (prej dashurisë), mazokistja ajo që e merr (ajo zakonisht sigurisht), prej dashurisë. Dhe në vijim të kësaj teme skandaloze, ke dhe shprehjet në zonat rurale që dalin nga gratë me sy të nxirë dhe thonë “e kërkova vetë” ose “e lypa”.

Ai që të rreh ndoshta të do dhe ndoshta nuk të do. Ai që të rreh ka probleme psiqike që nga fëmijëria dhe nuk ka kontroll e disiplinë të ndalë ciklin e dhunës në familje.

“Kush ka vajza botën ka”. Do ta pranoja mos të ishte që e gjithë kultura popullore favorizon frikshmërisht djalin para vajzës. Ndër rastet e rralla ku shprehjet popullore përkëdhelin gjininë femërore, por kot, është kompliment si qënie inferiore. Ata njerëz që nxjerrin këto shprehje janë ata që nxjerrin lotin sa një krokodil kur nuk bëjnë djalë, janë po ata që i rrisin vajzat e nënshtruara, si nën-specje. E vetmja arsye që unë shoh për kompliment, është pikërisht kjo, ke botën se ke një ushtri gocash punëtore të zonja “kokë ulura” gati për të marrë urdhrat e mamit dhe për t’i shkëlqyer fronin babit, vëllait, burrit, vjehrrit e kunatit.

Për mua, këto e shumë të tjera që ndoshta i mbledh në të ardhmen, janë pasuri. Këto nuk duhen harruar dhe janë burime shkencore për shumë zhbirilime.

Por të tilla absurditete kanë kontribut në vlerat personale, dhe sa më pak prej tyre në përdorim të përditshëm, aq më mirë!

Ik ha një dardhë tani.

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s