Arkivë: Ajo është si çun.

Para ca kohësh, nipi im 15 muajsh mori një dhuratë shumë të goditur, ardhur si pasojë e vëzhgimit se çfarë i pëlqen atij. Sa më shumë gëzohej ai, na shërohej ndonjë dhimbje ne të tjerëve.
Nuk ishte makinë as top e as ishte ngjyrë blu. Ishte një komplet pastrimi siç i kanë pastruesit profesionistë: një strukturë që ti e shtyn, dhe aty është e ngecur një fshesë, një kovë, një shtupë, të gjitha në përpjestim me trupin e tij të vogël. I kaloi ditët duke shtyrë strukturën në gjithë shtëpinë, duke “shtrydhur” shtupën, duke “fshirë”, duke u munduar ta ngecte shkopin në vendin e vet në kovë. Së bashku me faktin që një ditë tjetër, teksa ishim në kafe, iu qas për ta përqafuar një foshnjë rome nëna e të cilit po lypte, më vuri të mendoja. Siç edhe dihet tashmë, të gjitha sjelljet dhe paragjykimet në këtë botë, na mësohen në vegjëli. Nëse ime motër do kish refuzuar shtupën e do i kish blerë makinë, nëse do e kishim tërhequr me panik kur iu afrua fëmijës rom, thjesht do kishim filluar gdhendjen me sëpatë për ta katrorizuar si një djalosh standard të ‘racës së bardhë’.
Dhe m’u kujtua një gjë që më kujtohet shpesh që kur kam kaluar moshën e pjekurisë, që më ka turbulluar jo pak gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës: “Lura është si çun. Këtë vajzë e keni si çun”. Përfshi  këtu edhe nevojën e madhe të shoqërisë thellësisht seksiste t’i shpiknin medoemos një djalë prindërve të mi (indiferentë ndaj këtij fakti) që kishin tri vajza, si dhe nisur nga natyra ime e drejtpërdrejtë që nuk pajtohet lehtë me dokrrat e sistemit pa i analizuar mirë vetë, unë s’kisha ç’të isha tjetër veçse si çun. Unë rrija me rroba të lirshme nëpër lagje, varesha nga një degë në tjetrën, bëja akrobacira jo pak të rrezikshme nëpër kantieret në ndërtim apo nëpër muret e lagjes, kisha qejf të luaja futboll, dhe kur lëshohesha në divan, gjymtyrët e mia shkartiseshin siç ma ndjente trupi, shpesh duke më dalë të mbathurat (E TMERRSHME!) apo edhe duke ndenjur me këmbë hapur (LLAHTARIA VETE!). Imitoja fisin, njerëz të famshëm, kisha humor pa drojë, dhe që herët isha e zonja në zgjidhjen e problemeve të teknologjisë në shtëpi, aq sa mora famë shumë shpejt duke më kërkuar dhe fisi e të afërm për kompjuterat e tyre.

E kështu, gjatë fëmijërisë dhe pubertetit, më ndoqi ky epitet, edhe pse jo nga familjarët e mi të drejtpërdrejtë. “Mehmet ta pashë djalin, se s’mund t’i them vajzë asaj, mbi mur te Fan Noli”.

“Ky fëmijë është lapsus vajzë”. Një herë në klasë të pestë u shava me fjalë të pisëta me një nga djemtë e klasës, madje i tregova dhe gishtin e mesit. Ai mori vetëm një shkulje veshi. Kurse mua?! Thirrën mamin tim në shkollë, me shqetësimin e thellë “është vajzë, e kemi në tabelë të nderit!”

Unë fillova ta besoj nga pak që mbase jam si çun, edhe pse s’kisha ide çfarë i bie ajo në të vërtetë. Edhe pse kur filloi puberteti, isha shumë krenare për zhvillimet e vogla në kraharorin tim dhe u fjalosa me mamin që të vishja rrobe banjo të ndara atë vit në plazh.

Vdisja për fustane. Shoqja ime e lagjes kishte një palë këpucë llustrafinë të bardha me fjongo që i adhuroja. Në klasë të III kërkova nga klasa si dhuratë kompletin “Barbi bën dush” dhe e adhuroja. Kisha një fustan princeshash me topa nga Amerika që mezi prisja të kisha ku ta vishja. Dhe për të gjitha këto, kisha një si ndjesi faji të fshehur, sepse këto nuk janë muhabete çunash, unë duhet të isha si çun, çuni i tim ati. Nuk mund ta kenë gabim të gjithë të rriturit që ça s’u thonin prindërve të mi dhe mua.

Në vit të tretë gjimnaz, filluan aludime serioze nga disa syresh rreth meje se mos jam lesbike, dhe arritën dhe te unë. Ishte një kohë tejet idiote kur vajzat e vogla shkonin në shkollë me taka të frikshme, flokë të lëpira, çanta të vogla pa libra, ndërkohë që unë isha një adoleshente prerje standard, me asnjë nga trajtat e mësipërme. Nëse mendoni që dhe sot ashtu janë vajzat në gjimnaz, desha t’ju them që sot janë thjesht një minoritet, e atëhere ishin shumicë dërmuese që të bënin të ecje anës murit se e kishe çantën tepër të madhe në kurriz. Mua nuk më vardiseshin çuna thuajse fare në krahasim me shoqet, ose më kishin qejf tipa të çuditshëm, që kur e mendoj sot, ishin thjesht njerëz që shihnin përtej budallallëqeve dhe arsyeja pse ishin të çuditshëm, është se vetes i kishin ndenjur besnikë. Çunat që duhet të ishin tipi im, nuk e kishin fare mendjen te unë, por te 17 vjeçaret me flokë gjithë vaj e kurriz jashtë. Pse mos të mendoja unë që jam lesbike?

Ja që nuk isha, nuk jam e nuk do jem kurrë. Nuk të nxjerr dot njeri nga natyra jote, njësoj si nuk i bëjmë dot hetero ata që janë gej. E mendova fort, e konsiderova fort, po prapë në fund të ditës, mendja fluturonte te Chris Martin e zemra më shkiste për ndonjë çun që më pëlqente, e kurrë për vajza, as më hynin në sy fare. Dhe sot që njoh plot lesbike nga afër, mund t’jua konfirmoj të gjithëve se edhe pse disa prej tyre duken “si çuna”, edhe ato kanë pëlqyer kukulla, fustane, manikyre, Ambra Angiolini, Sailor Moon, i pëlqejnë akoma, krahas futbollit e atleteve dhe bërtimave në lagje. Nëse do të donin të ishin çuna, atëherë sot do ishin trans-gjinore. Por lesbiket janë thjesht vajza që pëlqejnë vajza.

Ca është ky institucion “si çun” pra? Se nuk kish të bënte me paraqitjen, jo në rastin tim. Gjithmonë kam mbajtur flokë të gjata dhe kam qarë me dënesë kur më kërcënuan që do m’i presin se zura morra. Nëpër ditëlindje krekosesha siç e ka për natyrë gjinia ime dhe që herët më është thënë që “përdridhem” kur eci. Nuk është se të rriturit që më quanin si çun nuk i vinin re këto gjëra, edhe pse në jetën e përditshme isha më e lirshme dhe e shkujdesur. Si çun me sa duket ka një kuptim më të thellë se thjesht gjinor:
Shpirt i lirë. Rebel/e. Dhe më e rëndësishmja, vetvetja.
Vetëm gjinisë mashkullore i lejohet të jetë vetja në botën tonë. Vetëm gjinia mashkullore mund të fluturojë nga pema në mur pa u gjykuar, duke u plasur në fund në divan me këmbë hapur nga lodhja. Vetëm gjinia mashkullore mund të shajë me “fjalë të pista”. Jo se ata nuk qortohen, po nuk bëhet dramë shekspiriane siç bëhet me ne femrat. Gjinia mashkullore merr vesh nga teknologjia dhe nuk ka turp të imitojë të rriturit apo artistët. Gjinia mashkullore nuk ka turp pra. Thotë atë çfarë mendon dhe bën atë që i bëhet, dhe nuk dot’ia dijë të rregullojë krevatin, që as unë sot e kësaj dite nuk e rregulloj.

Dhe përkundër rezistencës serioze, unë kam vazhduar fanatikisht të bëja atë që më bëhej, të thoja të vertetën, e mos të haja presionin e askujt, sidomos ndihmuar nga fakti që s’më vinte direkt nga prindërit e mi.
Ndihma tjetër e madhe ishte kur shkova në universitet amerikan. Aty, përveç se më në fund u çlirova që paskam bërë mirë që s’kam zhytur kokën në vaj, të gjithë profesorët cool e nxënësit më të vjetër më piketuan dhe gjithë talentin tim “për të qenë vetvetja” ma vunë në punë direkt: teatër, publikime organizime, e klube të tjera. Dyshimet e lehta mbi veten u mbyllën një herë e mirë momentin që u poqa. Unë jam gjinia femër hetero në kuptimin e plotë të saj.

Përveç se është prapambetje seksiste të etiketoni vajzat tuaja si çuna vetëm pse janë të lira, gjëja tjetër dua të them, është që nuk i ndërtohet dot natyra askujt. Nuk mund ta bindësh peshkun që është zog vetëm pse po përpëlitet të hipi në pemën që i the ti ta hipi. Ai e di që është peshk, thjesht po vuan shumë. T’I blejmë sa të duam makina djemve e t’ua bëjmë dhomën rozë vajzave, t’ia presim me rregull flokët djemve e t’I veshim rrobat e Elsës vajzave, ata do bëhen gjinia që e kanë në natyrë të jenë. Siç nuk e hëngra kurrë unë presionin të isha një “lesbike” “si çun”, nuk do e hajë as djali yt thellësisht gej të jetë hetero pse ti ia ke bërë dhomën blu e i ke blerë Ferrari në miniaturë. Nëse është gej, i tillë do jetë, dhe gjithë përpjekjet tona për ta etiketuar, nuk do ta largojnë kurrë nga vetja, por vetëm sa do ia nxijnë ditët të jetojë me frikë, dhe shpesh të vazhdojë një jetë të dyfishtë. Etiketat nuk janë tjetër veçse kontribute për një jetë të palumtur si i/e rritur, dhe për ata që duan të ndryshojnë realitetin e tyre, janë orë e lekë te psikologu dhe netë pa gjumë duke u munduar të gjurmojnë ku kanë shkuar gjërat keq.

Lërini fëmijët të luajnë me ç’të duan e frenoni gjuhën kur ai/ajo “devijon” nga klishetë e gjinisë së vet. Detyra jonë si të rritur është vetëm t’u garantojmë mjaftueshëm siguri, shëndet fizik e mendor.

11 tetor 2016, gentlewoman.al
http://www.gentlewomen.al/2016/10/11/ajo-eshte-si-cun/

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s