Arkivë: Ftesë vetëm për ty.

Kam qenë në klasë të tetë kur vala e sekteve dhe feve të ndryshme arriti kulmin e mësyerjeve nëpër dyert e shqiptarëve për të përthekuar shpirtra të trazuar për të shumuar bashkësinë e tyre. Sa më të njomë, aq më mirë. Për më tepër, shumë prej këtyre sekteve dhe feve ofronin dhe ofrojnë pagesa dhe përfitime të majme. Ishte (është ende) shumë e lehtë për të rënë pre e këtyre burrave e grave shumë të qetë e të qeshur që i bien derës e të qasen plot respekt sikur ti ke shumë rëndësi. Fundja, për pak vëmendje jemi në gjendje të bëjmë edhe gjëra të frikshme.

E interesuar në publikime që atëherë, më dukeshin shumë shtyp cilësor sidomos fletushkat e dëshmitarëve të Jehovait, me ca letra shumë të pazakonta për realitetin tonë, me drejtshkrim shumë të saktë, me faqosje tepër të veçantë… E kështu duhet të ketë ndodhur që do kem qenë duke e studiuar komplet nga pikëpamja estetike një fletushkë te dera, që një zonjë dhe një zotëri menduan që unë kam interes në idenë e krijuesit (mashkull, sigurisht!).

Të dielën, ditën kur dhe zoti pushon thonë, i ranë derës. Kërkuan mua. Filluan teknikat e qeta plot respekt me teori e pyetje. Unë, zakonisht shumë e qeshur dhe me edukatë mikpritjeje siç i ka hije kombit tim, nuk ua bëra bajat gjërat aspak interesante që thonin.

Të dielën e dytë ishin 3. Filluan të më shkonin pak djersë të ftohta, po kur i ke 14 vjet, ende nuk të ka mësuar jeta të mos ua përmbushësh të tjerëve qejfin sidomos kur qejfi i tyre po të bezdis ty. Mendon që mirësjellja të shpëton.

Të dielën tjetër i dhanë vetes lirinë për të hyrë në korridor. Donin dhe t’i hidhnin një sy nga ç’familje vij unë, e si jetoj. Ende në vetëmohim, mendova e treta e vërteta, nuk do të vijnë më, kaq ishte.

Po sa pak dija unë mbi si funksionojnë shitjet le të themi, e sidomos sektet!  Atë ditë u vetëftuan për kafe për të dielën tjetër, dhe unë u thashë po. Nuk dija ‘jo’ unë. Është një zakon i keq i shqiptarëve ky. Ndalon në rrugë dhe pyet dikë ‘më fal a e di ku gjendet X restorant?’, ai më parë të fut në rrugën e gabuar, se sa të thotë sinqerisht ‘jo nuk e di’. Kështu e hëngra dhe unë. Mamaja ime u shokua, po prapë kishte një javë kohë dhe ajo kishte ende besim që unë s’po joshesha nëpër sekte pa krye. Në përgjithësi  kisha fëmijëri të lumtur në një familje që nuk predikonte besim.

E kalova gjithë javën e bindur që nuk do të vijnë. “Ç’punë kishin 3 të rritur të kalonin të dielën me mua për të folur broçkulla që as ata vetë s’i besojnë?” Mendoja unë. “Po ç’u duhem unë një herë? Një adoleshente me detyrime familjare e me 100 aktivitete jashtë shkollore? Po mirë, nuk e kuptojnë këta që unë thjesht jam e sjellshme? E kanë kuptuar sigurisht, dhe ata janë thjesht të sjellshëm.”

Dhe këtu filloi mësimi i parë dhe mishërimi i thënies së famshme: mos ma merr mirësjelljen për dobësi. Jo vetëm që erdhën, jo vetëm që ishin të përpiktë, po ishin 5 syresha. Djersët e ftohta e të ngrohta  u intensifikuan, mami im fuste kokën në dhomë me terror pasi u solli kafe pa pikën e entuziazmit. (Ah, mirësjellja!)

Ata kishin ardhur të më fusnin në kurth. Tashmë edhe mirësjellja e tyre kishte marrë ngjyrë tjetër dhe ishte rritur natyra e pyetjeve dhe bisedave absurde pa logjikë për mua. Donin që ndër të tjera, unë të isha e zëshme për futjen e fesë nëpër shkolla pasi të bindesha vetë. Jo vetëm që mendja ime ishte e pushtuar nga kozmosi dhe hapësira atë periudhë, dhe kuleta ime ishte e bendit Prodigy dhe muri im ishte i mbushur me artistë rroku, por unë dhe shoqet e mia edhe tymosnim kot ndonjë cigare tek tuk që sa na jepte erë dhe dhimbje koke dhe në asnjë moment nuk mendoja se një burrë (sigurisht, s’mund të ishte kurrë grua!) imagjinar do më ndëshkojë ndonjë ditë për veprimet e mia rebele në klasë të tetë. Maksimumi i druhesha prindërve të mi, më shumë për mos t’i mërzitur, se as ata s’do më mbyllnin në purgator për një cigare.

E teksa bluaja gjithë këto gjëra e kush e di sa po acarohesha që po më bllokonin të dielën, asnjë moment e tunduar për të besuar, e pyes një burrë që po vazhdonte mbi fenë në shkolla.

“Po zotin kush e krijoi?”

“Si?!”

“Zotin, kush e krijoi? Nga erdhi ai?”

Zotëria i fyer i bëri bisht pyetjes me një përgjigje të tipit “ai ka qenë aty gjithmonë” dhe kaloi të çfarë ai konsideronte më të rëndësishme, i tronditur nga ndërprerja krejt pa lidhje që i bëra unë. Po sa më shumë bënte bisht ai, aq më shumë irritohesha unë e insistoja unë kush e krijoi zotin.  Pas nja 15 minutash që diskutimi nuk po shuhej, pesçja filloi të shqetësohej, unë s’haja asnjë përgjigje kot mbi pyetjen time plot. U futën dhe gratë, më shpjegime e debate. Tashmë unë e kisha kapur situatën në dorë dhe për herë të parë pas disa javësh, po e zotëroja unë debatin. Nuk lëshova e nuk lëshova pe. Atyre nuk po u besohej që po më “humbnin” për një pyetje kaq pa respekt.

Pff, kush e krijoi zotin!!

Mami im fuste kokën tinëz, dhe kur e kapi dhe ajo pas nja një orë se ç’po ndodhte, u qetësua një herë e mirë, e thjesht po priste të dilnin ata nga shtëpia e të vazhdonim të dielën tonë, ku ndër të tjera, unë bëja akullore me arra të pjekura.

Pas mbi 2 orë debat, ata të acaruar si unë që u vajti e diela dëm, dolën e nuk u kthyen më kurrë.

Sot e kësaj dite nuk e di kush e krijoi zotin, e as nuk dua ta di. Duke qenë se përgjigjet e mia i gjej vetëm në fakte e jo besime, gjithashtu ende nuk e di kush e krijoi hidrogjenin, elementin më të përhapur në gjithësi dhe që ka mundësuar e mbarëvan jetën në planetin tonë. Ndoshta askush. Po preferoj të ngre pyetje pa fund  dhe të kem shumë prej tyre të papërgjigjura, sesa të gjej përgjigjet e mia në besim të verbër, në frikën nga ndëshkimi, manipuluar nga burra e gra të vdekshëm, e jo fakte.

E njerëzit që më marrin për naive sepse jam e sjellshme s’kanë reshtur së pickuari e nuk do rreshtin kurrë. As nuk e kam ndërmend të mos jem e qeshur dhe e sjellshme dhe s’ia këshilloj askujt qasjen e egër – kur qesh, jo vetëm i dhuron lumturi të tjerëve, por lumturohesh dhe vetë.

Para nja 4 vjetësh i ranë derës sërish, sigurisht brezi i ri i dëshmitarëve, në 7 të mëngjesit.

E nxehur dyfish: e para që vazhdojnë provojnë, e dyta që më nxjerrin gjumin në atë çka unë quaj orë të djallit, u thashë me mirësjellje:

“Kush është?”

“Kemi një ftesë për ju!”

“Mos është nga zoti?”

“Po.”

“Nuk e dua, faleminderit”.

2 shtator 2016
https://sbunker.net/op-ed/88097/ftese-vetem-per-ty/

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s